E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët nxisin edhe vllehët: Shkolla në gjuhën tonë

Nga Tedi Blushi
Komuniteti etnokulturor vlleh kërkon më shumë të drejta nga shteti shqiptar. Kreu i shoqatës, Thanas Poçi kërkon sigurimin e mbështetjes nga autoritetet publike për mësimin e gjuhës vllahe në shkollë. 

TIRANE-Pretendimet më të fundit të organizatës së minoritetit etnik grek, OMONIA, "nxisin" edhe komunitetin etnokulturor vlleh të pozicionohet pothuajse me të njëjtat kërkesa përballë shtetit shqiptar. Në mbledhjen e djeshme të themelimit të "Unionit të Vllehve", kreu i shoqatës, Thanas Poçi, bëri të ditur disa vendime që ka marrë ky komunitet, e që sipas tij kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit të kërcënuar të kësaj popullsie. "Njohja zyrtare e vllehve si një komunitet etnokulturor; sigurimi i mbështetjes nga autoritetet publike për mësimin e gjuhës vllahe në shkollë, në ato qendra të banuara ku numri i nxënësve me origjinë vllahe është brenda limiteve të përcaktuara me ligj, akses në media, si dhe publikimi i gazetave, revistave dhe materialeve të tjera në gjuhën vllahe; përdorimi i gjuhës vllahe në kishë; garantimi i përfaqësimit të vllehve në institucionet që mbulojnë problematikën e ruajtjes dhe zhvillimit të traditës e kulturës së minoriteteve", - sqaroi Poçi. Mandej ai, por edhe folës të tjerë, apeluan domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit me të gjithë vllahët e Ballkanit, veçanërisht me ata që jetojnë në Greqi, marrëdhëniet me të cilët i konsideruan si shumë të rëndësishme. Kjo, pasi sikundër pretenduan, "rreth 60 për qind e vllehve të Shqipërisë, sot jetojnë në Greqi. Pra, 120.000 njerëz, nga 200.000 mijë që janë gjithsej". I pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kreu i saj, Vangjel Dule, në fjalën e tij theksoi mes të tjerash, se pa integrimin e minoriteteve nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Ai bëri thirrje për më shumë harmoni mes shqiptarëve e pakicave etnike, duke apeluar, sipas tij, nevojën e rikthimit të biomave të shkëlqyera që kanë ekzistuar në të kaluarën në vendin tonë. "Duhet të jemi gjithsecili krenar për identitetin e vet gjuhësor, kulturor, etnik e fetar. Ta kultivojmë këtë identitet dhe nga ana tjetër t'i respektojmë identitetet e tjera, të krijojmë një harmoni, një respekt, një mirëkuptim dhe këtë simbiozë në Shqipëri e kemi pasur. Kemi bioma të shkëlqyera, të cilat janë për t'ju përcjellë si ndër më pozitivet edhe në mbarë rajonin e më gjerë", - tha ai.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›