Greqi, 140 ton mallra kineze të kontaminuara në të gjithë vendin
Në Greqi mediat njoftojnë të alarmuara se skandali i produkteve kineze të kontaminuara është shtrirë në të gjithë vendin. E përditshmja greke “To Ethnos” shkruan sot se në fillim të vitit 2008 në Greqi kanë hyrë 140 ton mallra kineze si karamele biskota etj. Këto produkte janë importuar nga 18 firma.
ATHINE - Është përsëri një investigim i shtypit grek dhe pikërisht i gazetës “To Ethnos”, sipas së cilës në Greqi kanë hyrë prej fillimit të vitit qindra e mijëra kilogramë mallra kineze në përbërje të të cilave mund të ketë melaminë.
Kështu prej 1 janarit të këtij viti dhe deri më sot kanë hyrë në tregun grek 139.000 kg mallra të sintetizuara nga Kina, shumica e të cilave ose është konsumuar, ose është akoma në disa rafte të supermarketeve.
Ajo që vë theksin gazeta greke dhe kritikon organin e Kontrollit të Ushqimeve në vend është fakti se as ky organ nuk e di në se këto mallra që kanë hyrë në treg përmbajnë melaminë dhe në se po, sa e madhe është përqindja e saj.
Sipas gazetës Greqia gjendet për herë të dytë brenda 7 muajsh në kuadrin e një skandali ushqimor pas atij të tregëtisë së 11.000 tonëve të vajit të përzierë më vaj makinash.
Sipas gazetës “To Ethons” bëhet fjalë për prodhime të sintetizuara pra për biskota, karamele, lëpirëset e fëmijëve, prodhime keku etj. Janë gjithësej 18 shoqëri të cilat kanë eksportuar këto mallra në 52 ngarkesa të ndryshme.
Shumica e këtyre shoqërive janë shoqëri eksportuese mallrash të cilat më pas i shesin këto mallra me shumicë. E vërteta është se pasi u kërkuan adresat e këtyre shoqërive në internet, për fat të mirë rezultoi se asnjë prej tyre nuk ka filial në Shqipëri. Por përderisa janë firma që shesin me shumicë nuk përjashtohet mundësia që një firmë tregëtare shqiptare të ketë kryer një shkëmbim tregëtar prandaj edhe po publikohen emrat e këtyre shoqërive sipas listës që ka dhënë gazeta greke.
Ato janë: Shoqëria Sinteze, Relko Hellas, Cardinal SA Oriental Ethic Food, Tasty Foods, Wrigley Gmbh, Jumbo,Billys International Trade, Joannis Kurumbis, Fansi Foods, Dhespina Duni, Nova pharm,Joannis Himonakos, Konstandinos Curulas, Makedonika Zaharodhi, Nutisimmo, Cargo Took,Cargo Group Services dhe Seral.
Nga ana e tyre organet greke kanë deklaruar se kanë kryer kontrollet e duhura dhe nuk kanë gjetur prodhime qumështi me melaminë.
Por përsëri kanë qenë gazetarët e kësaj gazete që disa ditë më parë kanë gjetur në dy supermarkete kineze të shitej qumësht nga prefekturat jugore të Kinës pikërisht nga ato zona të cilat u përfshinë në skandalin e madh të qumështit me melaminë.
Vetëm dje nga doganat greke ka mbërritur lista me 18 shoqëritë të cilat kanë futur mallrat kineze të përmendura dhe kërkohet nga ana e organit të kontrollit të ushqimeve të kryen kontrolle të rrepta në depot e këtyre shoqërive.
(a.s/News24/Balkanweb)