E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitër Bajrami, Krerët e Kosovës urojnë besimtarët myslimanë dhe Myftiun Tërnava

Ndryshe nga një vit më parë ku krerët e Kosovës kërkonin pavarësinë e vendit të tyre, këtë vit, urimet e tyre kanë qënë ndryshe, plot mesazhe paqeje dhe tolerance. 

PRISHTINE-Festa e Fitër Bajramit, këtë vit po kremtohet për herë të parë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Ndryshe nga një vit më parë ku krerët e Kosovës kërkonin pavarësinë e vendit të tyre, këtë vit, urimet e tyre kanë qënë ndryshe, plot mesazhe paqeje dhe tolerance. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, përgëzuan sot besimtarët myslimanë dhe Myftiun Naim Tërnava, në nderim për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të gjendjes pranë njëri-tjetrit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u dërgoi një mesazh urimi të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të besimit islam me rastin e festës së Bajramit të Madh. Në mesazhin e Sejdiut ndër të tjera theksohej falënderimi “ për miqtë tanë, që na u gjetën në orët më të liga të historisë, ritheksojmë vendosmërinë tonë për forcimin dhe sundimin e rendit dhe të ligjit në shtetit tonë, për krijimin e një mjedisi të qetë e stabil, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’u krijojmë kushte më të mira për jetë dhe prosperitet në atdheun tonë të shtrenjtë”.

Edhe Kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar sot Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërrnava dhe të gjithë qytetarët e fesë islame të Kosovës me rastin e Fitër Bajramit. “Qytetarët e Kosovës gjithmonë janë shquar për vlera humane, vëllazërore dhe tolerancë ndërfetare, duke u dëshmuar si shoqëri që respekton të arriturat më të mira të civilizimit, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi, duke shtuar se në Kosovën e lirë dhe të pavarur këto vlera do të kultivohen edhe më shumë. Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Kosovës, garanci e perspektivës sonë të mirë”.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›