E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi/ A/H1N1, dy shkolla në Athinë mbyllen për një javë

Dy shkolla të Athinës, ku janë regjistruar disa raste të gripit H1N1, do të mbyllen për një periudhë prej shtatë ditësh, njoftoi sot prefektura e kryeqytetit grek në një komunikatë. Prefektura shtoi se të paktën nëntë nxënës dhe dy mësues të këtyre dy shkollave, që ndodhen në distriktet Melisia (në veri) dhe Haidari (në perëndim), janë prekur nga gripi H1N1.
Tre klasa të këtyre shkollave janë mbyllur tashmë që prej dy ditësh pas zbulimit të shtatë rasteve të gripit H1N1, shtoi prefektura.
"Duket qartë se po hyjmë në një fazë përhapjeje të virusit në sistemin arsimor", shtoi në këtë komunikatë prefekti i Athinës, Janis Sguros.
Tre persona të tjerë, ndër të cilët një francez, 29 vjeç, i cili kishte ardhur në Greqi për të kaluar pushimet, kanë vdekur në Greqi pasi janë prekur nga virusi i gripit H1N1, që ka shkaktuar mijëra të prekur të diagnostikuar që prej shfaqjes në muajin maj në vend.
Sipas Qendrës kombëtare të ndërhyrjes shëndetësore, Greqia pritet të marrë dozat e para të vaksinave kundër gripit H1N1 në fillim të tetorit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›