E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Cipras sulmon BE-në dhe Merkelin: Po luani poker!

Koalicioni Syriza i Ciprasit parashikohet të renditet i pari në zgjedhjet e reja të përgjithshme që do të zhvillohen në Greqi me 17 qershor. Premtimi kryesor i Syrizas është të mos i respektojë masat shtrënguese me të cilat liderët grekë kanë rënë dakord me BE-në dhe të rinegociojë marrëveshjet me Unionin dhe FMN-në.

Presidenti grek, Papulias tha se të paktën 700 milionë euro janë tërhequr nga bankat greke brenda javës deri të hënën. Por, nuk ka shenja të një falimentimi bankar. Paqendrueshmëria politike në Greqi ka shkaktuar tërmet edhe në bursat evropiane.

Në një intervistë për “BBC”-në, Ciparas tha se “sëmundja e kursimit që po shkatërron Greqinë do të përhapet edhe në pjesën tjetër të Evropës”.

“Bankat po përfitojnë në kurriz të mijëra evropianëve – në Spanjë dhe Itali, sikundër edhe në Greqi – të lënë në varfëri dhe vështirësi të mëdha. Kështuqë lidershipi Evropian, veçanërisht zonja Merkel duhet të ndalojë së luajturi poker me jetët e njerëzve”, tha Cipras.

Koalicioni Syriza u rëndit i dyti në zgjedhjet e 6 majit me 17 % të votave ndërsa në zgjedhjet e reja që do të zhvillohen më 17 qershor parashikohet të marrë rreth 28% të votave, sipas sondazheve të fundit.

Në zgjedhjet e 6 majit, asnjë qeveri nuk fitoi shumicën e mjaftueshme për të krijuar qeverinë dhe Syriza refuzoi të bëhej pjesë e një koalicioni qeverisës i cili do të vazhdonte me masat e kursimit të kërkuara nga BE-ja dhe FMN-ja.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2012-05-16 17:17
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›