E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, betohen 16 ministrat e qeverisë së Pikramenos

ATHINE - Kryeministri i qeverisë së përkohshme greke, Panajotis Pikramenos njoftoi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, përbërjen e qeverisë, e cila do të çojë vendin në zgjedhjet e 17 qershorit. Ajo përbëhet nga 16 ministra, (pa zëvendësministra), të cilët janë kryesisht profesorë universiteti, ish-ministra dhe diplomatë.

Betimi i qeverisë së re u bë sot paradite në Presidencë. Më pas u krye betimi i 300 deputetëve në parlament, i cili do të shpërndahet përsëri nesër dhe vendi hyn në fushatën zgjedhore.

Z. Pikramenos u betua mbrëmë rreth orës 20:00, me dorë në Bibël sipas traditës greke dhe më pas zhvilloi deri në mesnatë një takim me z. Lukas Papadhimos, i cili i dorëzoi detyrën. Z. Papadhimos theksoi se është e rëndësishme të përmbushen detyrimet ndërkombëtare të Greqisë dhe të zbatohen politika që do të sigurojnë besimin dhe stabilitetin. Ai u tregua optimist se kryeministri i ri do të bëjë çdo përpjekje, për të formuluar kushtet e paqes dhe moderimit gjatë periudhës së zgjedhjeve.

Më herët, pasditen e djeshme zoti Pikramenos mori mandatin për të formuar qeverinë, nga presidenti i republikës Karolos Papulias. "Është thjesht një qeveri e përkohshme që do të shkojë në kuadrin e Kushtetutës. Vendi po kalon kohë shumë të vështira. Nën drejtimin tuaj zoti President, duhet ta shpëtojmë atë nga rreziqet, të kalojmë një tranzicion të qetë me qeveri politike", deklaroi kryeministri Pikramenos.

Me humor ai iu drejtua Presidentit Papulias duke thënë: "Kam lexuar në gazeta se mbiemri im (që në greqisht do të thotë "i hidhëruar") është i përshtatshëm, për kryeministrin e fundit të kësaj periudhe të pasdiktaturës", dhe shtoi: "Shpresoj se pas meje që të fillojë një rigjenerimin i vendit tonë të bukur". 

Që nesër dhe përgjatë një muaji do të zhvillohet fushata e partive politike greke, të cilat janë ndara në qëndrimin ndaj Memorandumit të masave. 
Sondazhet paszgjedhore flasin për një fitore të koalicionit të së majtës radikale, SYRIZA, i cili premton anulim të masave të ashpra dhe mbajtjen e vendit në euro. 
Partitë promemorandum, ND dhe PASOK, patën një tkurrje të thellë në zgjedhjet e 6 Majit dhe tani duan të rrisin mbështetjen popullore, duke u riorganizuar apo duke afruar pranë vetes elementë të larguar më parë nga partia. 
Gjithashtu Samaras dhe Venizelos po përpiqen të tregohen të sinqertë me njerëzit, duke iu thënë se rruga që propozon SYRIZA, në dukje lehtësuese, është në thelb, braktisje dhe izolim nga Evropa.

PERBERJA E QEVERISE "PIKRAMENOS"

Kryeministri: Panajotis Pikramenos

Ministria e Mbrojtjes: Frangos Frangoulis

Ministria e Punëve të Jashtme: Petros Moliviatis

Ministria e Brendshme: Antonis Manitakis

Ministria e Financave: Jorgos Zanias

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve: Lefteris Ekonomou

Ministria e Drejtësisë: Kristos Yeraris

Ministria e Punës: Andreas Rupakiotis

Ministria e Arsimit: Angela-Efrosini Kiaou

Ministria e Mjedisit: Gregori Caltas

Ministria e Infrastrukturës: Simos Simopulos

Ministria e Shëndetësisë: Kristos Kittas

Ministria e Konkurrencës për Zhvillim dhe tregtar: Janis Sturnaras

Ministria e Zhvillimit Rural: Napoleon Maravegias

Ministria e Kulturës dhe Turizmit: Tatiana Karapanajoti

Ministria e Shtetit: Antonis Argyros

Ministria e Reformës Administrative: Pavlo Apostolidis
Lidhje te tjera FMN, Lagarde: Kosto e lartë për të gjithë, dalja e Greqisë nga euro

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›