E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi/ Karamanlis i justifikon zgjedhjet e parakohshme me krizën

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis e justifikoi sot vendimin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme si mundësia për nxjerrjen e vendit nga kriza. "Po, ne e kemi shmangur pjesën më të keqe të krizës, por është koha të luftojmë dobësitë tona strukturore", deklaroi Caramanlis në Selanik në një konferencë shtypi, katër ditë pasi thirri zgjedhjet për më 4 tetor.
Vendi e kaloi "krizën më qetë se pjesa më e madhe e vendeve të tjera", tha ai, por ai duhet të luftojë "kundër çekuilibreve strukturore që vijnë kryesisht nga superborxhi publik", i akumuluar në tridhjetë vitet e fundit. Borxhi, njëri nga më të mëdhenjtë e zonës euro arrin në afro 100 për qind të PIB-it. Kriza, saktësoi ai, "ka shkaktuar nevojën urgjente për zgjidhjen e problemit të borxhit".
Karamanlis që kryeson partinë konservatore në pushtet, Demokracia e Re (ND) tha se "nevoja për pastrimin e peisazhit politik" duke zhvilluar zgjedhjet përbënte një "prioritet madhor" për të përballuar krizën.
"Ne duhet të marrim tani disa masa të vështira për të lenë pas vetes dobësitë kronike dhe për të ecur përpara, nuk mund të lejojmë akumulimin e tyre duke minuar të ardhmen e pasardhësve tanë", tha ai.
Kryeministri vlerësoi "se brenda dy vjetësh mund të arrihet ekuilibri financiar i vendit". Qëllimi i përpjekjeve është "të përmbysim brenda dy vjetësh tendencën në mënyrë të përhershme dhe strukturore". Ai tha se Greqia kishte "mundësi të mëdha" kryesisht me turizmin që është sektor i fortë dhe i qëndrueshëm, sektorin e eksporteve, të ndërtimit dhe energjisë. Shefi i të djathtës përsëriti vullnetin e tij për të kontrolluar rreptësisht shpenzimet publike dhe për t'i shpallur "luftë" mashtrimit fiskal që minon arkën e Shtetit.
Karamanlis e përjashtoi çdo lloj bashkëpunimi me PASOK-un apo me Laos-in, nëse nuk do të merrte shumicën absolute të vendeve. Ai tha gjithashtu se nuk do ta linte drejtimin e ND-së në rast humbjeje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›