E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi: Kush mbjell erën, korr furtunën!

Protestat masive të ditëve të fundit në Greqi, të shoqëruara shpesh edhe me akte dhune, janë një dëshmi e pakënaqësive të gjera, të një krize të brendshme dhe e rrënimit sistematik shoqëror e politik që ka ndodhur vitet e fundit në shtetin helen.

Mospërfaqësimi politik i rinisë, i shoqëruar me aspiratat e tyre ekonomike të papërmbushura, si dhe korrupsioni në nivele mjaft të larta, i cili ka përfshirë jo vetëm administratën, por edhe institucionin moral grek, kishën ortodokse, si dhe heshtja e mosndëshkimi i dhunës sistematike policore, janë disa nga shkaqet e revoltave në Greqi. Duke mos menaxhuar këtë gjendje, klasa politike greke mbolli vetë erën. Vrasja nga policia më 6 dhjetor e nxënësit 15-vjeçar, Alexandros Grigoropoulos, vetëm sa e ndezi fitilin e asaj gjendjeje eksplozive që ishte krijuar. Tashmë politika greke po korr furtunën.

Rinia, sidomos ajo studentore po bëhet gjithmonë e më tepër zemra e protestave në Greqi. Një brez i tërë të rinjsh universitarë e pasuniversitarë po e ndiejnë veten pa perspektivë e të braktisur. Shumë prej tyre, ndonëse përfundojnë universitete cilësore, nuk gjejnë vende pune. Sipas një studimi, Greqia ka nivelin më të lartë të papunësisë për të diplomuar pasuniversitarë në të gjithë Bashkimin Evropian. Investimi që ata bënë për të ardhmen e tyre tashmë shpërblehet vetëm me pagesë prej 700 eurosh në muaj, edhe kjo shpesh e mbështetur nga fondet e BE-së. Prandaj dhe mediat botërore këtyre protestave u janë referuar shpesh si protestat e brezit "700 euro".

Brezi i "700 eurove" nuk e ndien veten të përfaqësuar as politikisht. Politika aktuale e dy parti-familjeve kryesore greke, po e zhgënjen vazhdimisht rininë dhe opinionin. Dhe përvoja greke ka treguar se asnjë qeveri atje nuk u ka rezistuar politikisht revoltave rinore. Sondazhet e kryera ditët e fundit tregojnë se më shumë se gjysma e qytetarëve grekë nuk besojnë se dy partitë më të mëdha do të mund ta menaxhojë situatën aktuale. Nëse do të bëheshin zgjedhje në këtë kohë, nga sondazhet e publikuara rezulton se dy parti-familjet kryesore greke, "Demokracia e Re" dhe "PASOK" së bashku mund të marrin vetëm 42% të votave.

Korrupsioni në shifra të larta dhe dështimi i politikës për ta luftuar është një tjetër faktor që nxiti furtunën në Greqi. Këtë e pranoi edhe vetë Kryeministri Karamanlis, i cili më datë 16 dhjetor u shpreh se "problemet e pazgjidhura gjatë, të tilla si korrupsioni në jetën e përditshme, zhgënjejnë të rinjtë", ndonëse kur erdhi në pushtet premtoi tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në të vërtetë, nga viti në vit korrupsioni ka ardhur duke u thelluar në Greqi. Sipas një studimit nga "Transparency International" për vitin 2007, në formë ryshfetesh janë dhënë 613 milionë euro nga qytetarët grekë. Një në çdo tetë familje greke ka qenë e detyruar të paguajë ryshfet për të zgjidhur një problem të vetin. Mesatarja e parave që ka paguar çdo qytetar si ryshfet në sektorin publik, është 1313 euro, ndërsa në sektorin privat, 1554 euro. Si më të korruptuarat në shërbimet publike renditen spitalet, zyrat e urbanistikës dhe ato të tatimeve, shërbimet e Ministrisë së Transporteve, bashkitë dhe enti i sigurimeve shoqërore. Ndonëse vend anëtar i BE-së, për vitin 2007 Greqia renditej në vendin e 56-të në indeksin ndërkombëtar të korrupsionit, në një grup me vende si Jordania apo Namibia.

Korrupsioni ka përfshirë edhe vetë kishën ortodokse, atë që grekët e besonin më tepër se politikën. Skandalet e saj nuk kanë të sosur. Një komision hetimor parlamentar, më datën 15 dhjetor, paraqiti në Parlament raportin mbi një marrëveshje të diskutueshme pronësie të paluajtshme midis shtetit dhe manastirit Vatopedi në malin Athos, marrëveshje e cila i ka shkaktuar së paku 100 milionë euro humbje shtetit. Nga ky skandal, dy anëtarë të kabinetit të Karamanlisit, ministri i marinës tregtare, Jorgos Vulgarakis, dhe sekretari i shtetit, Theodoros Rusopulos, u detyruan të lënë karriget, pasi u akuzuan se përfituan nga marrëveshja në fjalë.

Edhe autoritetet më të larta kishtare greke, si kryepeshkopi Kristodhuli dhe Irineu, kohë më parë u përshinë si bashkëpunëtorë në skandale. Shtypi grek paraqiti mjaft dëshmi e foto për lidhjen e tyre me Vavilisin, i akuzuar për lidhje me botën e nëndheshme të krimit në Itali, Jerusalem dhe i përshirë në firmat piramidale në Shqipëri.

Pushteti i Kishës ka filluar të tronditet thellë. Tashmë zgjidhja e çështjes së saj, përcaktimi i qartë i pozicionit të shtetit në raport me kishën dhe kufizimi i ndikimit të fesë në politikë, është bërë pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së krizës politike, shoqërore e shpirtërore në Greqi. Duket që në Greqi tashmë është bërë nevojë imediate ndryshimi i identitetit të shtetit sipas tipareve të qarta laike, si në shtete të tjera evropiane, pasi ndonëse është vend anëtar i BE-së, autoritetet fetare nuk kanë më pak pushtet në jetën e vendit sesa mullahët në Iran. Referendumi i paralajmëruar për ndarjen e kishës nga shteti, duket se do të jetë pjesë e furtunës që po përfshin Greqinë.

Korrupsioni në Greqi ka vite që është në sistem. Vetë qeveria greke pranoi në vitin 2004 se për të arritur futjen në zonën e euros dhe për të përfituar sa më shumë fonde nga BE-ja, kishte falsifikuar sistematikisht buxhetet vjetore, duke kryer kështu një veprim kriminal qeveritar. Korrupsioni e krimi i organizuar, mbështetur edhe nga instanca qeveritare, po e rendisin tashmë Greqinë në një rang apo edhe më keq se vendet e tjera të Evropës Juglindore, duke lëkundur kështu vetë rendin shtetëror në Greqi.

Përveç kishës dhe priftërinjve, Greqia duket se është vendi i pushtetit të pakufizuar edhe të policisë dhe policëve. Dhuna policore është një tjetër shkak që hodhi rininë greke në protesta. Arroganca dhe papërgjegjshmëria e policëve grekë, nuk gjejnë krahasim jo vetëm në vendet e BE-së, por as në vendet që janë nisur në rrugëtimin drejt saj. Shërbimi policor grek është shumë larg të qenit një shërbim policor demokratik. Grekët tashmë nuk ndihen të sigurt dhe të qetë. Një pjesë ë tyre kanë humbur besimin te policia.

Por, opinioni grek u kujtua vetëm pas vrasjes së adoleshentit Aleksandros Grigiropulos t‘i thotë stop dhunës policore. Një nga arsyet se pse gjendja arriti deri këtu është pikërisht mosdënimi i dhunës policore të bërë më parë. Janë vrarë me dhjetëra shqiptarë apo dhe emigrantë të tjerë dhe opinioni grek ka heshtur. Jo vetëm policia, por edhe ushtria, ndonëse pjesëtare e NATO-s, nuk u çlirua nga nacionalizmi i verbër. Askush nuk e harron te ne këngën e ushtarëve grekë: "I shikoni ata, i quajnë shqiptarë, litarë do të bëjmë me zorrët e tyre. I shikoni ata, quhen turq, opinga do bëjmë me lëkurën e tyre".

Këto dhe shfaqjet e dhunës irracionale të dëshmuara ditët e fundit, nuk mund të mos konsiderohen tregues të një gjendjeje sociale të sëmurë të një shoqërie që nuk ka bërë akoma paqe me veten e saj. Ndonëse Greqia ngre zërin për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri e gjetkë është i vetmi vend evropian që nuk pranon ekzistencën e minoriteteve etnike në vend. Popullsi të tëra turke trajtohen me këmbëngulje thjesht si myslimanë, ndërsa fshatra të tërë të banuar me shqiptarë autoktonë dhe sllavë i nënshtrohen një politike intensive asimilimi prej dekadash.

Në kulmin e krizës, segmente të nëndheshme të politikës greke, duket se planifikuan një rrugëdalje dritëshkurtër nga kriza. Ata u përpoqën të ngacmonin sedrën nacionaliste të grekëve dhe të tërhiqnin vëmendjen e opinionit se gjoja tashmë, kur Shqipërisë i duhet vota greke për në NATO dhe BE, ka ardhur koha për t‘ju rikthyer dhe një herë tezës së vjetër të Vorio-Epirit. Për këtë, ata futën në lojë krerët e OMONIA-s dhe përfaqësuesit politikë të minoritetit grek në Shqipëri. Me aktivitetet dhe zhurmën që këta të fundit bënë në Tiranë dhe Athinë, nuk arritën dot të zbehin frymën e protestës së rinisë greke dhe as të tërheqin vëmendjen e opinionit atje. Edhe shërbimi i tyre nuk do ta ndalojë dot furtunën e rinisë greke.

Skenat e dhunshme dhe djegiet e pronave publike apo private në qytetet greke ne, shqiptarëve, na bëjnë të ndihemi keq. Jo vetëm se atje punojnë dhe banojnë me qindra e mijëra emigrantë shqiptarë me familjet e fëmijët e tyre, por na kujtojnë vitin e zi 1997. Vit kur qarqe të dyshimta greke, me mbështetjen dhe të disa mediave atje, u frynin flakëve të zjarrit që po digjte Shqipërinë.

Por, ndryshe nga shumë grekë në atë kohë, të cilët të errur nga nacionalizmi kërkonin pushtimin e Jugut të Shqipërisë, ne shpresojmë dhe urojmë që skenat e dhunshme dhe djegiet të marrin fund sa më shpejt. Furtuna greke duhet të jetë paqësore. Vetëm kështu ajo do të mbështetet gjithmonë e më tepër dhe do të arrijë të realizojë ndryshimet e pritshme. Por duhet që vrulli i rinisë për ndryshim të mos manipulohet nga politika e vjetër dhe e korruptuar greke dhe as nga anarkistët. Është koha e intelektualëve të ndershëm grekë. Greqia ka qenë djepi i hershëm i demokracisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›