E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, sa larg Evropës jemi

Për vite me radhë u mësuam të dëgjojmë, pas çdo ngjarjeje politike, pas çdo marrëveshjeje të nënshkruar apo pas çdo monitorimi të jashtëm, se jemi "edhe një hap më afër Evropës", një hap më pranë ëndrrës. Ndërsa protagonistët tanë në qeverisje, javë për javë shpërndajnë njoftime zyrtare për shtimin e vendeve që kanë ratifikuar MSA-në (Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit) apo anëtarësimin në NATO, ndërsa vizitorëve të huaj u bëhen lajka gjithfarëshe, thjesht që të lëshojnë ndonjë pohim evaziv se do të hiqen vizat; çështja duket se qëndron krejt ndryshe.

Të gjitha këto akte formale e juridike kanë dobinë e tyre, por qëndrimi i Bashkimit Evropian është i njëjtë, i prerë, i pandryshuar. Si duhet të funksionojnë zgjedhjet që ato të jenë të lira, të besueshme dhe transparente? Procesi i liberalizimit të vizave, sa larg është Shqipëria? Por asnjë lëshim nuk mund të bëhet për simpati të njërit e për elozhet ndaj tjetrit. Këtë e pohon qartë ambasadorja e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor znj. Haber, gjatë një vizite në Tiranë.

Disa prej "stacioneve" themelore, ku zhvillimi i vendit do të monitorohet e vlerësohet janë: pavarësia e pushtetit të drejtësisë, certifikimi i luftës kundër korrupsionit, një sistem financiar i vetëmbrojtur prej parave të pista dhe mbi të gjitha, mënyra si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, për të cilat znj. Haber shprehet për "Exclusive", në "Top Channel", përballë gazetares Elona Meço.

Znj. Haber, ju jeni në Shqipëri e ftuar nga një OJQ, por megjithëse keni pasur një takim me ministrin e Jashtëm shqiptar zotin Basha vihet re se kontaktet në nivelet e larta mes Shqipërisë dhe Gjermanisë mungojnë dhe nuk janë të shpeshta. Cila është arsyeja?

Më duhet t‘ju kundërshtoj. Nuk mendoj se shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë midis vendeve tona nuk është i ngushtë, siç thoni ju. Gjatë këtij viti, përfaqësuesi i dytë më i lartë i shtetit gjerman, presidenti i Bundestagut gjerman, Lammert, ishte në Shqipëri për vizitë. Ndërkohë, edhe ministri federal i Mbrojtjes, Jung, dhe zv/ministri i Ekonomisë, Shauerte (Schauerte). Po ashtu edhe sekretari i Shtetit (rang zv. ministri) pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme, Erler, ka qenë këtu. Kryeministri Berisha ka qenë për vizitë në vendin tim, ministri juaj i Jashtëm, Basha, dhe ai gjerman Steinmeier takohen rregullisht në konferenca ndërkombëtare. Pra, përkundrazi, sipas mendimit tim, niveli i shkëmbimit të vizitave midis vendeve tona është mjaft i ngushtë.

Nga ana tjetër znj. Haber si për të balancuar joshpeshtësinë e kontakteve të niveleve politike, Gjermania renditet në vendin e parë të vendeve evropiane që ka dhënë më shumë fonde për Shqipërinë, rreth 800 milionë euro. Sipas jush, sa e ka justifikuar Shqipëria mbështetjen që i ka dhënë Gjermania nga ana financiare?

E dini, gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Gjermani u dyfishuan fondet e bashkëpunimit për zhvillim midis dy vendeve tona, duke arritur në shumën 90 milionë euro. Mendoj, se ky është një tregues i mirë, që projektet që ne financojmë së bashku dhe për të cilat bashkëpunojmë po funksionojnë mirë. Pra, përgjigjja ime është: Po! Por më lejoni të përmend edhe një pikë tjetër: Këtu nuk bëhet fjalë për një balancim të mungesës së takimeve të nivelit të lartë, sikurse thatë ju. Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë midis vendeve tona është si të thuash një avantazh tjetër në marrëdhëniet tona.

Znj. Haber, në këto 18 vite, i gjithë Ballkani Perëndimor ka ndryshuar, megjithëse në disa raste nëpërmjet luftërave dhe tani të gjitha vendet po punojnë për t‘u bërë anëtare të BE-së. Por a mendoni se ky proces mund të ndikohet negativisht nga ajo që Kancelarja Merkel e ka quajtur "enlargment fatighe"?

Ju përmendët termin "enlargement fatigue", pra lodhjen nga zgjerimi. Është një fakt në vendet demokratike, që njerëzit që duhet të zgjedhin duhet të binden, se projektet e mëdha që drejtohen nga këto vende janë edhe në interesin e tyre. Kjo është diçka krejt normale. Zgjedhësi gjerman duhet të kuptojë, se ku qëndrojnë avantazhet që sjell zgjerimi. Kjo s‘është diçka negative, por as edhe diçka pozitive. Kjo është diçka normale. Kjo është pika e parë. Pika e dytë është se koha e zgjerimit nuk varet nga lodhja e zgjerimit në qytetet kryesore gjermane, nuk varet nga kritika lidhur me zgjerimin në debatet BE. Kohëzgjatja e përafrimit të vendeve të rajonit në BE varet tërësisht nga fakti që vendet e rajonit duhet të zbatojnë atë që KE ka cilësuar si kusht për zgjerimin. Me fjalë të tjera: vendet e rajonit, në rastin konkret Shqipëria është ajo që e ka në dorë të vendosë përafrimin e shpejtë apo të ngadaltë me BE-në. Dhe kriterin kyç për këtë ne e shohim në raportin e progresit të KE-së. Pra, unë nuk besoj, se lodhja nga zgjerimi ka ndonjë ndikim në procesin e përafrimit, por, besoj se mënyra se si implmentojnë vendet e rajonit, reforma është faktori kyç për integrimin e tyre në BE.

Siç thoni juve, nga ana tjetër Ballkani Perëndimor duhet të kryejë reformat, në bazë të të cilave vlerësohet secili prej vendeve. Sipas jush, cilat janë pikat e dobëta të Shqipërisë?

Këto përmenden në raportin e progresit të KE, të publikuar më 5 nëntor. Komisioni konstaton progrese, psh. në lidhje me kriteret politike, gjithashtu edhe në zbatimin e Marrëveshjes Interim, pra pjesës së MSA-së që lidhet me tregtinë. Por nuk dua lë pa përmendur edhe faktin që komisioni ka identifikuar edhe probleme. Dhe këto probleme komisioni i sheh në lidhje me transparencën, eficencën dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë, në lidhje me një administratë eficente dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Këto mbeten fusha, ku komisioni dhe shtetet anëtare të BE-së shohin nevojë për reforma dhe implementimin e tyre.

Kush besoni se duhet të jetë në krye të këtyre reformave? Çfarë kërkoni Ju nga Shqipëria? Bashkëpunim? Kush duhet të jetë institucioni që merr përsipër bërjen e reformave?

Besoj, se në qendër të vëmendjes vitin e ardhshëm do të jetë ecuria e procesit të zgjedhjeve, pra përgatitja dhe zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe transparente. Kjo do të jetë një pikë kyçe e raportit të vitit të ardhshëm. Por kjo nuk do të thotë se fushat e tjera janë më pak të rëndësishme. Pra e përsëris edhe një herë: një sistem drejtësie funksionues dhe i pavarur, një administratë funksionale, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Të gjitha këto janë njësoj të rëndësishme.

Çfarë impakti do të ketë standardi i këtyre zgjedhjeve në vlerësimin e vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë?

Plotësisht e sigurt se kjo do të jetë një pikë qendrore në raportin e komisionit për vitin e ardhshëm: pra, zhvillimi i zgjedhjeve të ndershme dhe transparente dhe përgatitja e këtyre zgjedhjeve, do të jetë pa dyshim një pikë vendimtare!

Shqipëria është ende në pritje të një vendimi të BE-së për liberalizimin e vizave. Realisht, sa shanse ka që ky vendim të merret vitin e ardhshëm?

Qeveria ka përgjegjësi kyçe në procesin e zgjedhjeve, por zgjedhjet funksionojnë gjithmonë kur të gjitha shtyllat e shtetit bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Unë nuk besoj në afate, apo objektiva kohorë. Për dialogun lidhur me liberalizimin e vizave vlen e njëjta gjë si me afrimin në BE: Duhet të përmbushen disa kushte të caktuara, në mënyrë që të arrihet liberalizimi i vizave. Dhe që nga janari i këtij viti Komisioni po zhvillon negociata mbi liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e rajonit. Komisioni u ka dorëzuar vendeve të rajonit "udhërrëfyesit" (road maps) përkatës dhe në këto road maps është shprehur në mënyrë të qartë se në cilat fusha ka ende nevojë për reforma dhe se cilat pika mbeten për t‘u përmbushur. Edhe Shqipëria ka marrë një "udhërrëfyes" të tillë. Dhe aty thuhet mjaft qartë, se ku konsiston nevoja për reforma. Nëse realizohen këto reforma dhe plotësohen kushtet, atëherë do të vijë edhe liberalizimi i vizave. Por kjo nuk varet nga afate të caktuara kohore, e rëndësishme është të realizohen reformat.

Do të thotë që vendet e BE-së nuk do të lëshojnë asgjë, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mos plotësojnë gjithçka nga ato që ju kërkoni?

Është pikërisht kështu. Bëhet fjalë për kushte individuale. Pra këto ‘road maps‘, këta udhërrëfyes janë përshtatur në mënyrë individuale për secilin nga vendet e rajonit. Nevoja e reformave varion nga udhërrëfyesi në udhërrëfyes, sepse edhe vendet kanë bërë me hapa të ndryshëm për sa i përket implementimit të reformave. Por keni të drejtë: Varet nga zbatimi i reformave dhe nëse reformat janë realizuar, atëherë mund të vijë edhe liberalizimi i vizave. Pra, vendet e rajonit e kanë në dorë kohën, kur kjo të ndodhë.

Megjithatë, a ka skeptikë në vendet e BE-së për marrjen e një vendimi të tillë?

Ndoshta mund t‘i përgjigjem pyetjes suaj, duke ju thënë se ky është një vendim që merret me një shumicë të cilësuar.

Shqipëria interesohet për veten. Ku e shikoni Shqipërinë?

Si në rastin e të gjitha çështjeve të tjera të afrimit me BE-në, nëse kushtet përmbushen, atëherë duhet të jepet ajo që është premtuar të jepet. Kjo do të thotë, se nëse janë përmbushur këto kushte, ne e mbështesim një gjë të tillë.

Janë zgjedhjet një kusht për këtë?

Në disa fusha (janë përcaktuar 5 fusha) Komisioni e ka shprehur, se ku sheh nevojën për reforma. Besoj, se në mars të vitit të ardhshëm do të jepet edhe vlerësimi.

Znj. Haber është vendi i parafundit që ratifikon Marrëveshjen për Stabilizim-Asocimin mes BE-së me Shqipërinë. Do të jetë kështu edhe për protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO?

Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me udhërrëfyesit e liberalizimit të vizave. Zgjedhjet do të luajnë një rol të rëndësishëm në raportin e Komisionit, pra në kontekstin e përgjithshëm të afrimit me BE-në, por nuk ka një kontekst të drejtpërdrejtë me çështjen e liberalizimit të vizave. Këtu bëhet fjalë për të tjera çështje: çështje që lidhen me luftën kudër korrupsionit, emigrimin ilegal etj.

Dhe ky është hapi i fundit. Nuk ka asnjë procedurë tjetër?

Jo, javën e kaluar Parlamenti Gjerman ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit në NATO për Shqipërinë.

Do të thotë që Ju mbështesni anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në samitin e ardhshëm, por Shqipëria pret të aplikojë për statusin e vendit kandidat. Ǒmendoni se është e ardhmja e Shqipërisë në integrimin drejt BE-së?

Nuk kam dëgjuar nëse, apo kur do të ndodhë një gjë tillë. Por parimisht mund të them, se në vitin 2003 Komisioni i përcaktoi mjaft qartë hapat, si do të bëhet afrimi me BE-në. Do të thotë, që çdo fazë drejt afrimit me BE-në mund të arrihet, sapo ajo paraardhëse, apo më mirë nëse të gjitha kushtet që lidhen me fazën paraardhëse janë përmbushur. Pra, nëse MSA është zbatuar konsiderueshëm, atëherë mund të synohet realisht të shkohet drejt fazës tjetër. Kjo do të ishte ajo fazë që çon drejt statusit të kandidatit, por është e domosdoshme që të realizohen plotësisht të gjitha kushtet e fazës paraardhëse. Dëshiroj gjithashtu të tërheq vëmendjen edhe lidhur me faktin, se nëse paraqitet një aplikim, nevojitet konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së, në mënyrë që ky aplikim të përcillet më tej pranë komisionit. Pra, çdo fazë është e lidhur me kërkesën për konsens.

A duket se ka një padrejtësi nga ana e BE-së në mënyrën si i trajton vendet e Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për aplikimin e statusit, vizat apo çdo lehtësi tjetër. P.sh. në Maqedoni u bë luftë në vitin 2001 dhe Ju i plotësuat kërkesën asaj për vend kandidat; Serbisë i keni premtuar të njëjtën gjë. A mos duhet të ketë trazira në Ballkan, që vendet të përfitojnë mbështetjen Tuaj?

Më duhet të kundërshtoj atë që thatë. Nuk është e vërtetë që në rastin e Maqedonisë apo në rastin e Serbisë janë dhënë kushte të veçanta. Përkundrazi! Kjo gjë është e pamundur me ne, kjo gjë është e pamundur me Gjermaninë. Ne jemi të mendimit, se për të gjitha vendet e rajonit vlejnë të njëjtat rregulla. Je jemi për atë, që për të gjitha shtetet e rajonit të ketë të njëjtat kushte dhe nevojë për reforma. Të gjitha vendet duhet të implementojnë, atë që u është kërkuar nga Komisioni dhe BE-ja në lidhje me procesin e afrimit dhe integrimit me BE-në. Nuk ka shanse politike, në të vërtetë e rëndësishme është besueshmëria.

Edhe një herë dhe këtu flas në emër të Gjermanisë: Nuk do të ketë kushte të veçanta (speciale). Për të gjitha shtetet vlen i njëjti sistem dhe të njëjtat rregulla, siç janë përcaktuar në procesin e MSA-së. Serbisë nuk i është dhënë e drejta e statusit të kandidatit. Për Serbinë vlen: Nëse janë përmbushur kushtet, këtu përfshihet edhe bashkëpunimi me tribunalin e Hagës, atëherë Serbia mund të vazhdojë në rrugën drejt BE-së, atëherë mund të zbatohet edhe marrëveshja Interim.

Znj. Haber, mund të na thoni përtej asaj që është pohuar se çfarë ndodhi realisht me tre agjentët gjermanë në Prishtinë?

Ishin tre shtetas gjermanë, të cilët u arrestuan, u arrestuan në mënyrë të padrejtë dhe më pas u liruan. Besoj se çështja tashmë është mbyllur.

Besoni se autoritetet e qeverisë së Kosovës do të jenë edhe në Mitrovicën e Veriut ku banojnë serbët?

Besoj, se bëhet fjalë për një keqkuptim. Ju e dini se EULEX-i është dislokuar që prej 3 ditësh në Kosovë, në veri, në jug, në lindje dhe në perëndim të saj. EULEX operon në ... e Kombeve të Bashkuara, Kombet e Bashkuara kanë pasur statusin "neutral". Por EULEX është një aksion i përbashkët i BE-së, të cilin e kanë miratuar të 27 vendet e BE-së. Ky aksion i përbashkët mbështetet në paketën "Ahtisari". Sot EULEX është bërë ekzekutiv në të gjithë Kosovën dhe pikërisht ky fakt thekson, se EULEX është për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, EULEX nuk e ndan Kosovën, EULEX e garanton integritetin territorial të Kosovës.

Prania e tij në veri të Kosovës do të ndihmojë që edhe autoriteti i qeverisë së Kosovës të jetë atje?

Po, EULEX është në Mitrovicë, është prezent në veri të Kosovës që prej 9 dhjetorit. Ajo që bën EULEX në veri, si dhe në pjesën tjetër të Kosovës, është zbatimi i asaj që parashikon paketa "Ahtisari" në fusha të caktuara në lidhje me EULEX. Ky është misioni i EULEX-it, sigurisht në bashkërendim me qeverinë e Kosovës.

Mund të jepni ndonjë parashikim të përafërt kur vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë anëtare me të drejta të plota në BE?

Sapo të jenë përmbushur kushtet dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›