E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Papandreu në largim e sipër

 Kryeministri grek, Papandreu, është në largim e sipër. Funksionarë të lartë të qeverisë së tij kanë pohuar se shefi i ekzekutivit grek do të japë dorëheqjen menjëherë pas njoftimit për koalicionin e ri. I njëjti burim pohon se dorëheqja e Papandreut përjashtohet deri në momentin e  arritjes së një marrëveshjeje mes partive politike për formimin e koalicionit të ri qeverisës dhe përcaktimit të emrit të kryeministrit të ri.

Nuk mund të ketë dorëheqje pa një marrëveshje për qeverinë e re sepse kjo do të sillte një vakuum pushteti. Fillimisht nevojitet një marrëveshje mes partive dhe përcaktimi i emrit të kryeministri të ri, bën të ditur burimi, duke shtuar se qeveria e pret një marrëveshje të tillë brenda ditës së diel.

Mbledhja e sotme e qeverisë do të jetë e fundit me Papandreun në krye të saj, ka thënë një zëdhënës. Mbledhja do ti dedikohet takimit të grupit europian të hënën, në të cilin Greqia do të përfaqësohet nga ministri i Financave, Evagelo Venizelos.

Greqia duhet të gjejë një zgjidhje politike sot, përndryshe nesër e pret ferri, ka thënë një nga pjesëtarët e grupit parlamentar të PASOK-ut, partia socialiste që qeveris Greqinë. Kjo deklaratë i referohet mes të tjerash edhe hapjes së bursave në fillim të javës.

Ndërkohë, beteja politike mes PASOK-ut dhe opozitës vazhdon. Lideri i qendrës së djathtë, Antonis Samaras, ka kërkuar dorëheqjen e Papandreut si një mënyrë për të gjetur zgjidhjen e krizës politike.

Përderisa Papandreu nuk vendos se çfarë do të bëhet, kjo mbetet një pengesë për çdo lloj zgjidhjeje. Nëse ai largohet, gjithçka do të kthehet në rrjedhën normale, ka thënë Samaras pas takimit me kreun e shtetit për një qeveri të bashkimit kombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›