E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, Fokus ndan çmimet për fotot më të mira

Foto e Eljan Taninit, fituese e çmimit të parë

Në qytetin e Fierit, në galerinë e Arteve Figurative është çelur edicioni i 6-të i konkursit ndërkombëtar të fotografisë Fokus.  Tradita e krijuar në realizimin e këtij aktiviteti kushtuar i gjithi fotografisë artistike, krijimit të urave të bashkëpunimit, ballafaqimit të vlerave të shkollave të rajonit dhe nxitjes së debatit mbi fotografinë , e bënë këtë aktivitet nga më të rëndësishmit kushtuar fotografisë në Shqipëri.

Kërkesës së organizatorit Arben Alliaj, Galerisë së Artit Fier, Shoqatës Antik mbështetur financiarisht dhe nga Bashkia Fier, rregullisht i paraqiten një numër i madh konkurentësh, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e ekspozitës finale.
Edhe këtë vit janë paraqitur rreth 160 aplikantë, kur selektorët, të cilët përbëjnë dhe jurinë e aktivitetit, vendosën të kualifikojnë vetëm 93 prej tyre.
Sigurisht, në gjeografinë e aktivitetit tërheqin vëmendjen numri i madh i aplikantëve nga trevat shqipfolëse të cilëve sivjet iu bashkohen dhe shtetet si Amerika, Gjermania, Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Franca, India, Pakistani, Belgjika, Mali i Zi, Serbia etj.

Foto nga Nita Zeqiri, fituese e çmimit të dytë

Juria e sivjetme përbëhet nga Jutta Benzenberg (Gjermani), Suzana Varvarica (Shqipëri) Afrim Spahiu (Kosovë).

Çelja e ekspozitës dhe ndarja e çmimeve u bë të shtunën, në  5 nëntor, ora 17.00 në Galerinë e Artve Fier, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në dt 15 nëntor.

Foto nga Murat Saygner, fituese e çmimit të tretë

Në përfundim, juria shpalli fitues Eljan Taninin, nga Shqipëria. Çmimi i dytë i shkoi Nita Zeqirit nga Kosova dhe i treti Murat Saygner,  Turqi. / K.Thana

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›