Greqi: Parlamenti voton planin kundër krizës

Parlamenti i Greqisë voton sot planin e qeverisë që parashikon masa për reduktimin e defiçitit buxhetor. Plani besohet se do të miratohet pa vështirësi, pasi socilistët në pushtet kanë shumicën e nevojshme parlamentare. Votimi vjen një ditë pas protestave të djeshme ku në Athinë mbetën të vdekur tre persona. Dhjetëra persona, përfshirë dhe oficerë policie, mbetën të plagosur nga protestat. Pavarësisht nga protestat masive të përgjakshme të popullit, qeveria greke do t'i përmbahet paketës së saj të kursimeve drastike. Ministri i Financave Jorgos Papakonstantinou përforcoi në parlament se qeveria nuk do të tërhiqet. Qeveria socialiste do ta nxjerrë vendin nga kriza e borxheve. Udhëheqësit europianë kanë shprehur shqetësim rreth fatit të eurozonës pas protestave të dhunshme në Greqi. Protestat ishin në shenjë kundërshtimi ndaj planeve të qeverisë për uljen e shpenzimeve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se aktualisht euroja është më e rrezikuar se kurrë më parë. Kryeministri finlandez, Mati Vanhanen theksoi se plani për shpëtimin e Greqisë mund të mos parandalojë përhapjen e paqëndrueshmërisë financiare. Ndërsa shefi i qeverisë franceze, Fransua Fijon, nënvizoi se monedha e përbashkët po sulmohej nga spekulatorët.