E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Venizelos, kreu i ri i PASOK, me 97.3% të votave

ATHINE - Evangelos Venizelos është kryetari i ri i PASOK. Ai ishte kandidati i vetëm zyrtar që konkurronte për këtë post, duke u bërë kështu lideri i katërt i kësaj force të rëndësishme politike në Greqi. 

236 151 persona morrë pjesë në procesin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të PASOK-ut, sipas vlerësimeve të Komitetit të Statutit dhe Certifikimit. Nga këta Evangelos Venizelos mori 230 105 vota. 

Kryetari i ri i PASOK-ut, Evangjelos Venizelos, menjëherë pas zgjedhjes së tij në udhëheqjen e Partisë, foli për gabimet e bëra, por edhe për shpresën e rilindur. Në mënyrë të veçantë, z.Venizelos ndër të tjera tha: «Populli dëshiron të dijë të vërtetën. Populli kërkon të ketë një qeveri të fortë progresive. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona. Njoh shumë mirë se sa e madhe është pakënaqësia e njerëzve. Megjithatë, vendi ka mundësi dhe shpresa të mëdha. Nevojitet punë, plan dhe vendosmëri. Sot është një ditë pranverore e shpresës. Marr përsipër përgjegjësinë për të udhëhequr një përpjekje kolektive. Sot, u rivendos një marrëdhënie e besimit, filluam!».

Evangjelos Venizelos do të pritet nga Presidenti i Republikës Karolos Papulias, të hënën në orën 12:00 dhe në vazhdim do të takohet me kryeministrin Lukas Papadhimos në orën 13:00 dhe pasdite do të paraqesë në qeveri dorëheqjen e tij nga posti si zv/kryeministër dhe ministër i Financave. Në orën 15:00 të së hënës, do të bëhet ceremonia e dorëzimit dhe e marrjes së kryesisë së PASOK-ut.

Shumë shpejt kryetarin e ri të PASOK e pret një sfidë e rëndësishme, pasi me të dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të Financave, Evangelos Venizelos do të përgatisë dhe drejtojë partinë për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme politike, që pritet të zhvillohen për gati një muaj dhe pas kësaj të realizojë aspiratën e tij të dytë e të njohur, ngjitjen në postin e kryeministrit. 

Sondazhet e fundit flasin për një rënie të ndjeshme të mbështetjes popullore për PASOK, rënie e cila filloi që nga evidentimi i krizës, marrja dhe zbatimi i masave të ashpra financiare, me qëllim daljen prej saj.

Ish kryetari i partisë Jorgos Papandreu ndërsa votoi për pasardhësin e tij, shprehu shpresën se "udhëheqja e ardhshme e PASOK do të ketë përpara një qiell shumë të qartë dhe ditë me diell, pavarësisht nga vështirësitë e shumta që e presin". Ai shtoi se "si një qytetar i zakonshëm" do të bëjë cdo përpjekje për të ndryshuar vendin. Ndërkaq në një intervistë për BBC, Papandreu rrëfeu se mund t'i hyjë rrugës akademike. Ai mendon të ndërtojë një “Akademi Demokratike”, për të trajnuar politikanët e rinj me parimet demokratike të një vendi ku lindi demokracia”.

PASOK, me kryeministër Jorgos Papandreun, e drejtoi vendin që nga zgjedhjet e 2009-s e deri në nëntor të vitit të kaluar, kur ia la vendin një qeverie koalicioni të drejtuar nga bankieri Lukas Papadhimos.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›