E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Anceloti, tifozët kërkojnërikthimin e Murinjos

ANGLI- Karlo Ançeloti ka qenë në një nga korridoret e stadiumit “Goodison Park”, kur drejtuesit e Çelsit i kanë komunikuar shkarkimin nga detyra. Ishte një orë pas humbjes 1-0 me Evertonin, kur administratori i deleguar i klubit Ron Gourlay i ka thënë italianit se nuk do të vazhdonte më detyrën në krye të bluve të Londrës, “për shkak se ka dështuar në objektivat e sezonit”. Por, në fakt asgjë nuk është vendosur në ndeshjen e fundit, pasi fati i Ançelotit, sipas “The Sun”, ka qenë i shkruar që nga ora 4.11 e pasdites së 8 majit, kur skuadra e tij u mund 2-1 nga Mançester Junajtid, në betejën vendimtare për titullin kampion. Roman Abramoviç ka vendosur ta largojë një vit para kohe trajnerin italian, që në sezonin e shkuar fitoi titullin dhe Kupën në Angli. Tashmë rusit i duhet të paguajë 6 milionë stërlinat e kontratës, ndërkohë që lajmi për shkarkimin u ka kujtuar të gjithëve sjelljen e drejtuesve të Uest Hemit ndaj izraelitit Avram Grant një javë më parë. Për çudi, izraeliti është një nga kandidatët për të pasuar Ançelotin, sipas “Telegraph Sport”.
Pasuesit
Po kush do të jetë pasuesi i Karlo Ançelotit? Emri më i lakuar në shtypin britanik është ai i Gus Hidink, i cili vetëm dy ditë më parë zbuloi se bënte këshilluesin e Çelsit prej dy vjetësh. Gjithsesi, Hidink duket se do të kthehet në rolin e një drejtori teknik dhe jo në pankinë, duke u bërë guru-ja e njërit prej dy trajnerëve të rinj: Marko Van Basten ose Frenki Rajkard. Problemi i vetëm për t’u zgjidhur mbetet kontrata që e lidh Hidink me Turqinë, të cilën holandezi nuk kërkon ta prishë, të paktën pa siguruar kualifikimin.
Murinjo
Nëse Hidink nuk do të shkëputet dot, Abramoviç ka gati një listë tjetër emrash. Në krye qëndron Andres Vilas Boas i Portos, por problemi në këtë rast qëndron se ai ka një klauzolë prej 13 milionë eurosh për prishjen e kontratës. Nga britanikët, në pole-position mbetet Herri Redknap i Totenhemit, por edhe Mark Hjuxhs i Fulham. Përmendet edhe emri i Xhanfrako Xolës, megjithatë në një sondazh të kryer nga gazetat angleze, tifozët kërkojnë rikthimin e Zhoze Murinjos. Por, një hipotezë e tillë, duket ajo më e vështira.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›