E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ardhja e Trojkës, Papadhimos takon Samaras e Karaxhaferis

ATHINE - Në kushtet kur Greqia rrezikohet seriozisht nga falimentimi dhe kur obsionet e prerjes së mëtejshme të borxhit grek po konsiderohen gjithnjë e më shumë edhe nga institucione të tilla si FMN, priten negociatat e reja dhe shumë vendimtare të qeverisë greke me Trojkën. 

Para këtyre negociatave kryeministri grek Lukas Papadhimos do të zhvillojë takime “kokë më kokë” me liderët politikë, që mbështesin qeverinë e tij. 

Jorgo Karatzaferis i ka kërkuar disa ditë më parë kryeministrit Lukas Papadhimos, thirrjen e bordit të liderëve politikë, në funksion të ardhjes së Treshes në Athinë. 

Sot pasdite Papadhimos do të takojë kryetarin e Demokracisë së Re, Antonis Samaras ndërsa nesër është programuar takimi me kreun e LAOS, Jorgo Karaxhaferis. 

Në këto takime do të kërkohet mbështetja për ligje të cilat konsiderohen nga Trojka, si domosdoshmëri për të vazhduar financimin e vendit.
Temat e nxehta të panegociueshme që shtron Trojka janë: 

- Reduktimi i pagave minimale në sektorin privat.
- Shfuqizimi i pagës së 13 dhe 14 në sektorin privat
- Shkurtime në institucionet publike.
- Masa më të ashpra kundër evazionit fiskal.
- Reduktimi i pensioneve.
- Liberalizimi i profesioneve të mbyllura. 

Para se të mbërrijë në Athinë, Trojka ka dhënë mesazh të qartë, se nëse nuk ka përparim në zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga qeveria, atëherë nuk do të shkohet drejt lëvrimi të këstit të gjashtë ende “të ngrirë”.

Një tregues i klimës në orët e fundit midis Athinës dhe huadhënësve, janë deklaratat e Kryetarit të Këshillit Shkencor të Ministrisë gjermane të Financave, i cili në një intervistë deklaroi se ''Greqia për mendimin tim është tashmë falimentuar. Unë mendoj se mirë do të ishte të thuhet ndershmërisht se qeveria greke nuk mund të paguajë borxhet e saj''. Dhe botimi i revistës gjermane Spiegel, sipas së cilës FMN ka shprehur dyshimet se Greqia nuk do të jetë në gjendje për të reduktuar borxhin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›