E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, arrestohet autori i masakrës së Qafë-Gjashtës

Arrestohet në Athinë të Greqisë Mikel Këndezi, 49-vjeçari i shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të masakrës së Qafë Gjashtës, ku bandat e armatosura vranë oficerin e policisë, Gjergj Mehmeti, më 1997-n.Mikel Këndezi, i cili ka rënë në pranga dje në Greqi, akuzohet gjithashtu se pas ngjarjes së Qafë Gjashtës ka marrë e mbajtur peng duke keqtrajtuar dy shtetas grekë, për lirimin e të cilëve ka kërkuar një shumë të madhe parash. Policia tha dje se Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës në bashkëpunim me autoritetet greke në Athinë, Greqi, kanë bërë arrestimin me qëllim ekstradimin në Shqipëri të shtetasit Mikel (Flamur) Aleks Këndezi, 49 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Sarandë. Sipas Policisë, Gjykata e Sarandës, me vendimin Nr.52, datë 23.05.2005, e ka dënuar Mikel Këndezin me 11 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të rrëmbimit të personit. Mikel Këndezi është akuzuar se në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 21.05.1997, kanë rrëmbyer dhe mbajtur marrë peng për 18 ditë dy shtetas grekë, duke kërkuar në këmbim të lirimit të tyre një shumë të konsiderueshme parash. Pas këtij precedenti të rëndë penal, sipas Policisë, ndaj të arrestuarit Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin Nr.8, datë 20.01.2008, ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, për kryerjen e veprës penale të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, e kryer në bashkëpunim. Kjo akuzë i referohet ngjarjes së ndodhur më datë 4 mars 1997, në vendin e quajtur Qafë Gjashtë. I arrestuari në Greqi akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka qëlluar me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen e efektivit të Policisë së Komisariatit të Sarandës, Gjergj Mehmeti. Pas vrasjes, kufoma e Gjergj Mehmetit është keqtrajtuar, ndërsa kolegu i tij, oficeri i Policisë, Eduart Aliaj, është marrë e mbajtur peng disa ditë në Sarandë, duke u keqtrajtuar. Ngjarja ndodhi pasi tre efektivat e Policisë, Gjergj Mehmeti, Sokol Bozhga dhe Eduart Aliaj, shkuan në qytetin e Sarandës më 4 mars 1997, një ditë pas sulmit që grupet e armatosura i kishin bërë Komisariatit të Policisë. Tre oficerët u dërguan nga Ministria e Brendshme për ringritjen e stacionit të policisë, por, pasi konstatuan se ishte e pamundur, nisën të kthehen nga Saranda. Gjatë rrugës ata ndaluan një person të armatosur, por shtetas të tjerë u organizuan dhe zunë pritë ndaj makinës së tre efektivave të Policisë, në vendin e quajtur Qafë Gjashtë. Aty ka pasur shkëmbim zjarri mes tre policëve dhe grupit të personave të armatosur, që kërkoi lirimin e të arrestuarit. Në këtë betejë, Sokol Bozhga u largua dhe shpëtoi, por Gjergj Mehmeti u vra në makinë dhe trupi i tij u masakrua, ndërsa polici tjetër, Eduart Aliaj, u mor dhe u mbajt peng duke u keqtrajtuar rëndë për mëse dy javë. Lirimi i tij u bë disa ditë më vonë me negociatorë. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë disa persona janë akuzuar për masakrën e Qafë Gjashtës, ndërkohë që Mikel Këndezi është hetuar në mungesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›