E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, arrestohet një shqiptar. Dyshohet se vrau dy të moshuarit grekë

Policia greke arrestoi sot një person që dyshohet se është autori i vrasjes së dyfishtë dhe grabitjeve në fshatin Ktizmata të Janinës. 

I arrestuari është një shqiptar 30 vjec, që u kap nga postblloku i policisë duke ecur në kilometrin e 7 të rrugës Janinë-Athinë dhe me vete kishte një granatë.

Burime të policisë thonë, se ai ka pohuar krimet e kryera mbrëmë dhe ka bërë të ditur se para 3 muajsh është arratisur nga burgu i Nafplios, ku vuante dënimin për vjedhje. Sipas informacioneve, i arrestuari ka qenë nën ndikimin e drogës. 

Ngjarja
Ngjarja për të cilën dyshohet shqiptari i arrestuar, ndodhi mbrëmë në fshatin grek Ktizmata, në Janinë, në kufi me Shqipërinë, ku një çift të moshuarish 72 dhe 73 vjeç janë gjetur të vrarë në shtëpinë e tyre.

Sipas dëshmive të mjekut ligjor, pleqtë e moshuar janë rrahur për vdekje. Ata kanë marrë goditje në kokë, ndërsa u gjetën të vdekur në shtretërit e tyre. Autori pasi i ka vrarë të moshuarit, iu ka marrë makinën, një tip kamionçinë fshati.

Por ngjarja nuk u mbyll këtu. Policia ka mësuar se natën e kaluar rreth orës 22:00, një njeri i armatosur ka hyrë në kafenenë e fshatit, duke kërcënuar 30 banorët që ndodheshin aty për t'i dhënë para. Personi, që sipas dëshmive të fshatarëve ishte shqiptar, hyri në kafene, duke mbajtur në duar dy granata. Ai u largua pasi rrëmbeu dy telefona celularë dhe një kuletë. 

Pronari i kafenesë dhe tre burra ndoqën, por ai hodhi një granatë, e cila për fat të mirë nuk shpërtheu dhe pastaj u largua në errësirë. Pas kësaj hyri në shtëpinë e një 63-vjeçareje dhe duke e kërcënuar i mori para.

Teksa largohej me makinën e vjedhur, autori i grabitjeve e ka përplasur atë në një mur dhe e ka braktisur. Makina e të moshuarve u gjet më vonë në Janinë. 

Fillimisht policia dyshoi se vrasësi ishte një nga të arratisurit nga burgu i Trikalas, për shkak të llojit të njëjtë të granatave të përdorura me të arrestuarit e Trikalas, por me arrestimin e sotëm hetimet marrin edhe një drejtim tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›