E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, data e zgjedhjeve politike do vendoset gjatë javës së Pashkës

ATHINE - Data e mbajtjes së zgjedhjeve në Greqi do të komunikohet në Javën e madhe të Pashkës, deklaroi në televizionin SKAI zëdhënësi i qeverisë, Pandelis Kapsis, duke konfirmuar se nuk ka ndodhur asnjë ndryshim sa iu përket datave të diskutuara. 

Zëdhënësi theksoi se qeveria do të duhet të vazhdojë punën e saj para dhe pas zgjedhjeve, dhe sipas tij, nuk ka hapësirë as për relaksim, por as për ekzagjerime. 

“Nuk duhet që të krijohet tek qytetarët ndjesia se vështirësitë kaluan”, tha Kapsis, ndërsa theksoi se asnjë amendament nuk ka për të shkuar në parlament, nëse më parë nuk miratohet nga këshilli i ministrave. 

Deklarata e Venizelos 

Kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, thekson në një intervistë për gazetën Ethnos, bindjen e se partia e tij është në gjendje të përmbysë rezultatet e sondazheve dhe të fitojë zgjedhjet. 

Lideri i ri i PASOK-ut thekson se “nëse duam të qëndrojmë në eurozonë dhe të kapërcejmë krizën, me sa më pak humbje për shoqërinë, PASOK-u duhet të jetë në vendin e parë. Ky objektiv është realist, sepse qytetarët i marrin vendimet e tyre nga tani deri në ditën e zgjedhjeve”. 

Venizelos shprehet hapur: “Na nevojitet një Kombëtare e Greqisë. Prandaj do të qeverisim me një kombinim figurash me përvojë dhe të reja, edhe nga PASOK-u, por edhe me personalitete jashtë PASOK-ut”. 

Deklarata e Samaras

Lideri i ND, Antonis Samaras, në intervistën për gazetën Kathimerini, kërkon nga qytetarët t’i japin maxhorancën qeveritare, që të qeverisë vendin, madje vlerëson se në rast të kundërt, dalja e Greqisë nga kriza do të jetë shumë e vështirë. 

Samaras përsërit qëndrimin e tij se në rast të mosarritjes së maxhorancës qeverisëse, shkuarja përsëri në zgjedhje do të jetë e pashmangshme, duke theksuar se “skenari më i keq është pamundësia e krijimit të një qeverie të qëndrueshme. Dhe atëherë do të jetë e pashmangshme shkuarja në zgjedhje të reja. Jo si alternativë e imja, por si nevojë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›