E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, digjen flamuj izraelitë dhe amerikanë

Flamuj izraelitë dhe amerikanë janë djegur sot gjatë një manifestimi përpara ambasadës së Izraelit në Athinë për të protestuar kundër bombardimeve izraelite në Gaza, njoftoi një fotoreporter i AFP-së.

Rreth 300 persona, ndër të cilët shumë palestinezë, morën pjesë në këtë manifestim. Policia e ndërhyrjes së shpejtë përdori gazin lotsjellës për të mos i lejuar t'i afroheshin ambasadës. Disa prej manifestuesve hodhën këpucë në drejtim të fotografisë të presidentit amerikan George Bush.

Tre manifestues u arrestuan nga policia në murin rrethues të ambasadës ku u shkul një flamur izraelit, bëri të ditur agjencia gjysmëzyrtare e Athinës News Agency, ANA.

Dy manifestime të tjera ndodhën orët e para të mbrëmjes përpara ambasadës së Izraelit, njëri me thirrjen e Partisë Komuniste greke, dhe tjetri me thirrjen e partisë së ekstremit të majtë Syrisa. Sipas gazetarëve të AFP-së, në këto manifestime morën pjesë qindra persona.

Dy manifestime ku morën pjesë një mijë persona gjithsej me thirrjen e Partisë Komuniste dhe të lëvizjes së ekstremit të majtë u zhvilluan në mbrëmje edhe përpara konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Selanik.

Më tepër se 345 persona janë vrarë në bombardimet e ndërmarra nga Izraeli në Gaza që nga dita e shtunë si kundërpërgjigje ndaj të shtënave me raketa të Hamasit. (atsh)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›