E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, emigrantët ilegalë, shqiptarët në krye të listës

ATHINE-Shqiptarët kryesojnë listën e emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në Greqi dhe që ndalohen nga policia greke. Gjithashtu ata janë të parët në listën e trafikantëve të arrestuar nga kjo polici.

Shifrat bazohen në statistikat për vitin 2010 të publikuara nga policia greke sipas së cilës, gjatë vitit 2010 kanë hyrë në Greqi 132 524 imigrantë të paligjshëm të cilët janë kapur nga policia. Ndër të arrestuarit,1150 janë trafikantë të qënieve njerëzore.

Përsa i përket origjinës të emigrantëve të paligjshëm ne krye te listes janë ata nga Shqipëria (50 175), të pasuar nga pakistanezët (8830), palestinezët (7561), algjerianët (7336), somalezet (6525), irakenët (4968) dhe afganët (28 299)
Mjaft i lartë gjatë 2010 ishte gjithashtu edhe numri i emigrantëve të paligjshëm nga Maroku (1645), Eritrea (1628), Gjeorgjia (1456) dhe Iran (1133).

Negativ për Shqipërinë është edhe fakti se prej 1150 trafikanteve te arrestuar gjatë 2010, 363 janë shqiptarë, në vend të dytë vijnë grekët me 183 të arrestuar e më pas janë irakenët dhe turqit.

Hyrja dhe qëndrimi i paligjshëm i të huajve në Greqi është rritur në 2010 krahasuar me 2009, Shumica e madhe e emigrantëve të paligjshëm, hyjnë në rrugë tokësore vendit nga kufijtë greko-turke në lumin Evro.

Hyrjet klandestine dhe masat
Nga pozicioni gjeografik që ka Greqia, konsiderohet si portë për hyrjen e klandestineve nga vendet arabe drejt vende të tjera të Evropës. Është vija e gjatë bregdetare dhe kufiri tokësor me Turqinë, që favorizojnë hyrjet e mëdha në Greqi.

Qeveria greke është e shqetësuar për këtë dukuri, dhe një nga masat më të dukshme që pritet të merret është ndërtimi i gardhit kufitar gjatë lumit Evro, që mund të pengojë një vërshim të tillë klandestinësh. Ngjarjet e fundit në disa vende si Egjipti mund të shkaktojnë një valë të re klandestinësh dhe kjo nuk është e lehtë për Greqinë, e cila ndërkohë është duke përjetuar krizën më të madhe ekonomike në historinë e saj.

Në këto kushte shoqëria greke është bërë edhe më e ndjeshme dhe disi armiqësore me te huajt, duke kërkuar dëbimin e tyre.

(d.b/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›