E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, goditje e mafias në Selanik, në pranga 53 vetë

SELANIK - Prokuroria e Selanikut ka urdhëruar ndjekjen penale me akuza për krijim organizate kriminale, kamata të paligjshme, mashtrim, shantazhe në vazhdimësi dhe shplarje e parave të pista, abuzim me detyrën, rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje, për 53 persona që u arrestuan ditët e fundit në zona të ndryshme të Greqisë veriore, si pjesë e katër organizatave kriminale.

Asgjësimi i këtyre rrjeteve, që vepronin vitet e fundit duke përfituar sipas përllogaritjeve të autoriteteve fitime të paligjshme që kapion shifrën 42,5 milionë euro, ishte rezultat i hetimeve shumëmujore të sigurimit publik të Selanikut.

Dosja e çështjes përbëhet nga 15.000 faqe të daktilografuara, mes të cilave 3.500 faqe me zbardhjen e bisedave telefonike të të akuzuarve.

Siç u bë e ditur, mes 53 të arrestuarve përfshihen një drejtues i shërbimit të ndjekjes së krimit ekonomik (SDOE) të Selanikut, biznesmenë, mes të cilëve edhe një pronar lokalesh nate që kishte kandiduar për një parti parlamentare në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, dy drejtues bankash private, avokatë, një oficer policie në lirim dhe një tjetër i shërbimit aktiv, një gazetar i ERT3, një tatimor, një ish futbollist me origjinë serbe i PAOK-ut dhe një punonjës i të njëjtit klub sportiv.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›