E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, “dhurata e Krishtlindjeve”, sa do të jetë këtë vit?

ATHINE - Gjithë punonjësit e sektorit privat që kanë marrëdhënie pune të varur, apo kontratë pune, gëzojnë të drejtën e përfitimit të dhuratës së Krishtlindjeve. 

Dhuratën e plotë e përfitojnë punonjësit e sektorit privat, për të cilët marrëdhënia e punës me të njëjtin punëdhënës ka pasur kohëzgjatje pa ndërprerje që nga 1 maji deri më 31 dhjetor të çdo viti. 

Për llogaritjen e dhuratës, merret parasysh mënyra e pagesës, domethënë, nëse paga është ditore apo mujore. 

Për ata që paguhen me pagë mujore, dhurata është e barabartë me pagën e një muaji, ndërsa për ata që paguhen me ditë, marrin një dhuratë të barabartë me pagën e 25 ditëve. 

Për punonjësit që kanë pasur marrëdhënie pune me kohë më të vogël, dhurata është e barabartë me dy paga ditore për çdo 19 ditë kalendarike. 

Në periudhën e punës përllogariten edhe ditët e lejes së zakonshme, lejes së lindjes (për femrat), ndërkohë që nuk llogariten ditët e lejes pa të drejtë rroge. 

Dhurata e Krishtlindjeve jepet detyrimisht deri më 21 dhjetor të çdo viti dhe nuk lejohet të jepet në mall, por vetëm në para. 
(a.jo./Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›