Greqi masat e reja te shtrengimit
Prezantohet paketa e re e shkurtimeve të buxhetit grek. Të quajtura si masat e fundit nga kryeministri grek Antonis Samaras, ato u bënë publike gjatë mbledhjes së fundit maratonë të qeverisë që zgjati për rreth tre orë. Shkurtimet në total kapin një vlerë prej 11,5 miliardë euro dhe do të arrihen përgjatë dy viteve të ardhshme. Lista me të gjitha shkurtimet do të diskutohet më pas nga kryeministri Samaras me krerët e partive të tjera të koalicionit Venizelos dhe Kouvelis. Pas miratimit trepalësh, paketa duhet të shqyrtohet dhe miratohet edhe nga inspektorët e trojkës, të cilët do të jenë në Athinë gjatë javës së ardhshme.
Masat e parashikuara në paketën e re të shkurtimeve parashikojnë ndër të tjera një shkurtim prej 4,6 miliardë euro për pensionet shtetërore, 1,32 miliardë euro për pagat e punonjësve publikë. Shkurtime në sektorin e shëndetësisë me 1,45 miliardë lekë dhe ulje të shpenzimeve me 517 milionë euro për sektorin e mbrojtjes. Rreth 400 milionë euro të tjera do të përfitohen nga heqja e pagës së 13-të dhe të 14-të.
Ndërkaq, Brenda vitit 2014 rreth 30-35 mijë punonjës publikë do të përfitojnë 75% të pagës pasi do të qëndrojnë në shtëpi për disa vite deri në arritjen e moshës së daljes në pension. Kjo lëvizje do t’I kursejë arkës së shtetit edhe 167 milionë euro. Për herë të parë do të ulen me 12% pagat e diplomatëve, ushtarakëve, gjykatësve, mjekëve dhe kategorive të tjera të ashtuquajtura “speciale”, të paprekura në të shkuarën. Gjithashtu, do të ngrijnë të gjitha rritjet në grada të ushtarakëve dhe policëve, çka do të kursejë 165 milionë euro. Pasi ka prezantuar masat e shkurtimeve, kryeministri Samaras deklaroi se, “paketa e re do të jetë e dhimbshme, por e paevitueshme, në mënyrë që Greqia të fitojë besimin. Por, kjo do të jetë edhe paketa e fundit sepse shoqëria greke nuk mund të përballojë këto masa shkurtimesh”. Shkurtimet e reja ishin kërkuar më parë nga trojka (BE, FMN dhe BQE) si kusht për të përfituar një paketë të dytë ndihmash për ekonominë.