E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi masat ndeshkuese negative

Pas marrëveshjes së arritur mes partive politike për krijimin e qeverisë së re dhe zgjedhjes së kryeministrit Samaras, tashmë debatet në Greqi janë zhvendosur tek hapat e nevojshëm për të stabilizuar ekonominë.
Deputetja Olga Kefalogianni thotë se mes palëve ekziston konsensusi se kushtet e paketës së shpëtimit prej 168 miliard dollarësh mund të kenë qenë tepër të ashpra.
"Partnerët tanë duhet ta kuptojnë se ata duhet të na japin njëfarë hapësire për frymëmarrje. Reformat janë të nevojshme, por ne nuk mund të punojmë me një paketë kaq të ashpër, e cila në fakt po na mban në rrethin vicioz të recesionit", u shpreh ajo.
Greqia është tani në vitin e pestë të recesionit – gjendje për të cilën disa thonë se i ngjan një depresioni të plotë.
Ekonomisti, Yanis Varoufakis thotë se është e qartë se masat e kursimit të kërkuara nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian në këmbim të dy paketave të shpëtimit, më tepër e kanë penguar, se sa ndihmuar ekonominë greke.
Pavarësisht nga paketat e shtrenjta financiare për katër vende të eurozonës, kostot e huamarrjes janë rritur në nivele të papërballueshme në vendet me borxhe të mëdha si Italia dhe Spanja.
Zoti Varoufakis thotë se, pa masa të përbashkëta për zgjidhjen e krizës së borxhit, një dalje e Greqisë nga eurozona mund të ishte vetëm fillimi.
Shumë do të varet nga Gjermania. Ekonomia më e madhe e bllokut ka hapur tashmë mundësinë e zgjatjes së afatit për disa pagesa, por në prag të takimit të nivelit të lartë të G-20s në Meksikë, kancelarja Angela Merkel përsëriti besimin e saj se kushtet themelore të marrëveshjes – një ulje drastike e raportit mes borxhit dhe GDP-së së Greqisë, janë të panegociueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›