E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu në Kroaci: Opozita po bllokon reformat

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, zhvilloi nje vizitë zyrtare dy-ditore në Zagreb të Kroacisë me ftesë të Ministres së Jashtme dhe Ceshtjeve Europiane Vesna Pusic. Gjatë kesaj vizite, Ministrja takoi dhe kryetarin e Komisionit Parlamentar për Cështjet Europiane Danijel Mondekar.
Pas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Cështjeve Europiane, dy Ministret dhanë një konferencë për shtyp ku vlerësuan si të shkëlyqera marrëdheniet dypalëshe, si në kuadrin rajonal ashtu edhe në kuadrin europian.
Ministrja Pusic, u shpreh se Kroacia, si vendi anëtar me i ri i BE-së, do ta mbështesë dhe asistojë Shqipërinë, në të gjitha hapat, deri në anëtarësimin e saj në BE, qoftë teknikisht, ashtu dhe politikisht.
Ministrja Bregu përshëndeti nënshkrimin e Traktatit të Aderimit të Kroacisë në BE dhe e quajti një hap inkurajues për rajonin, pasi konfirmon besueshmërinë e procesit të anëtarësimit dhe perspektivën e qartë europiane të tij.
Ministrja theksoi se "integrimi europian na jep sensin e së ardhmes së përbashkët dhe nxit frymën e bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë. Progresi që kemi bërë deri tani në bashkëpunimin rajonal është i konsiderueshëm. Kjo duhet kuptuar drejt nga të gjitha vendet e rajonit, të cilat duhet të heqin dorë nga axhenda nacionaliste dhe të pranojnë realitetin e ri të rajonit, ku të gjitha vendet përfshirë Kosovën kanë një perspektivë të qartë europiane". Ministrja Bregu kërkoi vazhdimësi dhe garanci nga ana e Kroacisë sa i përket mb?shtetjes p?r Kosovën, veçanërisht në procesin e bashkëpunimit rajonal dhe atë të integrimit Evropian.
Të dyja palët shprehën interesin për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimi në nivel politik, në kuadrin rajonal dhe atë ekonomik, ndërsa nga ana e saj, Ministrja Bregu vlerësoi mundësinë për të përfituar nga eksperienca kroate në përgatitjen e procesit të negociatave.
"E parë në aspektin më teknik të procesit, eksperienca kroate mund të jetë e vlefshme në disa faza që nga screening i kapitujve të ndryshëm të Acquis deri tek procesi i negociatave dhe roli i aktorëve të përfshirë në të", tha ajo.
Ndërsa Ministrja Pusic theksoi se Shqipëria ka dhënë një kontribut të qenësishëm për procesin e bashkëpunimit rajonal, përmes rolit konstruktiv për çështje të rëndësishme me të cilat rajoni është përballur dhe po përballet. "Roli stabilizues i Shqipërisë është faktor paqeje dhe sigurie në rajon",tha Pusic.
Nga ana tjetër, u theksua rëndësia për ta mbajtur të gjallë procesin e integrimit nga ana e BE. Në një kohë kur vendet e BE-së i ka mbërthyer kriza ekonomike dhe skepticizmi, mbështjetja që vjen nga popullsia e vendeve të Ballkanit si Shqipëria (94 % përkrahje) është një aset i cili duhet vlerësuar.
Gjatë takimit me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Cështjet Europiane Danijel Mondekar dhe anëtarë të tjerë të këtij Komisioni, Ministrja informoi palën kroate për zhvillimet e fundit politike në vend. Ajo shprehu keqardhjen e saj në emër të maxhorancës për qasjen e vazhdueshme jo bashkepunuese të opozitës shqiptare në lidhje me axhendën europiane. Anëtarët e Komisionit theksuan rëndësinë që ka pasur kontributi i opozitës kroate ndër vitë, për të përmbushur bashkë me qeverinë detyrimet e vendit në kuadër të anëtarësimit në BE, shpesherë duke votuar unanimisht ligjet e nevojshme në Parlament. Ata gjithashtu nënvizuan faktin se eksperienca me frymën jo bashkëpunuese te opozitës si ajo shqiptare, është unike për vendet e BE dhe ato aspirante.
Në mbyllje të vizitës së saj në Zagreb, Ministrja Bregu u takua me zv Kryeministrin dhe Ministrin për Zhvillimin Rajonal dhe fondet e BE-se. Në këtë takim u diskutua mbi mundësitë e zhvillimit të projekteve strategjike për të dyja vendet, kryesisht në sektorët më të rëndësishëm si ai i infrastrukturës, mjedisit, arsimit etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›