Tenderi konform standardeve me te larta nderkombetare

Ministria e Financave konfirmon se tenderi për lotarinë kombëtare, e cila jepet për herë të parë në Shqipëri, është zhvilluar konform standardeve më të larta ndërkombëtare të këtij aktivitetit. Duke ardhur në përgjigje të akuzave që janë bërë në adresë të dikasterit të financave për këtë proces, ministri Ridvan Bode theksoi se procedura e tenderit të licencës ka qenë transparente dhe e asistuar nga një konsulent ndërkombëtar. sipas tij, duke konsdieruar kompleksitetin e aktivitetit dhe mundësinë për t’u përfshirë në të kompani antiligjore, qeveria i është drejtuar që në fillim organizatave botërore që kujdesen për rregullat në këtë treg.
Lidhur me akuzat e bëra për mungesën e konkurrencës për çmimin, Bode deklaroi se nuk është kriter çmimi fillestar, për kompaninë fituese. Sipas tij buxheti i shtetit do të arrijë të fitojë përmes taksës prej 10 për qind mbi xhiro që kompania duhet të paguajë në një vit.
Tenderi për dhënien e licencës për lotarinë kombëtare u zhvillua një ditë më parë dhe morën pjesë vetëm dy kompani.
Në mënyrë sistematike media të ndryshme kanë bërë akuza se pjesëmarrja vetëm e dy firmave në një tender të rëndësishëm për një licencë 10-vjeçare tregon për një konkurrencë të kufizuar, e cila është shkaktuar nga kriteret e përcaktuara nga Ministria e Financave. Gjithashtu, sipas këtyre akuzave, është se kompanitë në garë nuk do të konkurrojnë me një ofertë financiare, çka do të thotë se buxheti i shtetit do të humbasë miliona euro.
Licenca për lotarinë kombëtare rrjedh nga ligji për lojërat e fatit.