E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, masa të ashpra në tryezën e liderëve politikë

ATHINE - Vazhdon në Athinë, që prej orës 17 20, takimi vendimtar i kryeministrit Lukas Papadimos me liderët politikë, Antonis Samaras, Jorgos Papandreu e Jorgos Karaxhaferis, për mbylljen e marrëveshjes mbi reduktimin e borxhit dhe kredinë e re të ndihmës për Greqinë.

Takimi filloi më vonë nga sa ishte paralajmëruar, pasi kreu i LAOS kërkoi kohë të studiojë memorandumin e hartuar nga Trojka, një dokument prej 16 faqesh me masat e reja që janë sugjeruar prej saj.

Në takim marrin pjesë edhe ministri i Financave, Evangelos Venizelos dhe ai i Punës, Jorgos Kutrumanis. 

Pas takimit historik të krerëve politikë me kryeministrin Papadhimos, pritet të mblidhet kabineti qeveritar.

Sipas raporteve, përvec diskutimit të kërkesave të ashpra të Trojkës, Antonis Samaras ka hedhur në tryezën e bisedimeve dhe cështjen e zgjedhjeve. Ai ka kërkuar që liderët të angazhohen për një datë të caktuar.

Ndërkohë mbledhja e Eurogroup për Greqinë ka shumë mundësi të zhvillohet nesër në ora 19 00, gjë që dëshmon se liderët grekë do ta arrijnë sonte një marrëveshje. Në mbledhjen e Eurogrup njoftohet se do të marrë pjesë edhe drejtoresha e FMN Christine Lagarde.

Ndërkohë që vijojnë bisedimet, presidenti i Eurogrup Jan Klod Juncker dërgoi një mesazh të rreptë. Ai i bëri thirrje Greqisë të respektojë angazhimet e veta.

Ndërsa Amadeu Altafaj, zëdhënësi i komisionerit Olli Rehn tha më herët se Komisioni Evropian pret një përfundim të sukseshëm nga takimi që po zhvillohet në Athinë.

Janë momente tepër kritike këto që po përjeton Greqia, pasi sot vendoset nëse do shkohet drejt zbatimit të masave të ashpra të kursimit në emër të shpëtimit, apo do firmoset falimentimi i Greqisë e për pasojë dalja e saj nga Eurozona.

Krerët politikë mund të thonë sonte një “po” të dhimbshme, që do të shpëtonte vendin nga falimentimi, por do të varfëronte më shumë qytetarët, ndërkohë që rreth 3 milionë grekë ndodhen në kufijtë e varfërisë.
Lidhje te tjera Brukseli, gjithë vëmendjen tek Greqia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›