E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, më 5 dhjetor, vizitë e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden

ATHINE - Marrëdhëniet greko-amerikane, çështjet me interes si Qiproja, emri i Maqedonisë, liritë fetare, Patriarkana Ekumenike, kriza ekonomike dhe problemet në rajon, do të jenë në qendër të bisedimeve që do të zhvillojë në Athinë, më 5 Dhjetor, zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. 

Z. Biden do të takohet me Presidentin e Republikës Karolos Papulias, kryeministrin Lukas Papadhimos, kryetarin e PASOK, Jorgos Papandreu dhe të partisë “Demokracia e Re”, Antonis Samaras.

Zoti Biden, do të jetë më 2 Dhjetor në Ankara më pas në Stamboll ku do të ndjekë një konferencë ndërkombëtare mbi sipërmarrjen, dhe në 5 Dhjetor në Athinë.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare tha se “pas garancisë që presidenti Obama i dha kryeministrit të ri grek në telefon, më 21 nëntor pas zgjedhjes së tij, zëvendëspresidenti amerikan me këtë vizitë, do të tregojë që SHBA mbështesin Greqinë dhe inkurajojnë zbatimin e mëtejshëm të hapave të duhura për daljen nga kriza”.

I pyetur nëse z. Biden do të sjellë në Athinë një propozim konkret për ndihmë ekonomike amerikane, përgjegjësi për çështjet financiare, tha se "SHBA qëndrojnë në anën e Greqisë, janë miq të fortë dhe aleatë” dhe do të vazhdojnë të mbështesin gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë, përmes FMN-së, ku SHBA është aksioneri më i madh". 

Këshilltari theksoi se "zëvendëspresidenti amerikan do të mbështesë përpjekjet, reformat dhe paketën e masave të përcaktuar nga partnerët evropianë dhe FMN-së".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›