E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi i trashëgimisë, Izet Duraku: S'ka nevojë për roje

TIRANE-Shqipëria ka humbur më shumë se 2000 objekte me rëndësi të trashëgimisë së saj kulturore. Shumë syresh janë vjedhur në fillim vitet 1990, e një shumë e konsiderueshme në vitin 1997. Rezultati i njëjtë: Ato janë grabitur, janë trafikuar dhe prej tyre në më të shumtën e rasteve s'ka mbetur as nam e as nishan, përveç ndonjë inventari me pak detaje që nuk shërben as për Interpolin... E megjithëse vjedhjet bëhen kohë e pakohë, ministria pak ditë më parë premtoi nisma e ndërmarrje për mbrojtje e për rikthime veprash të vjedhura. Foli ministri i Kulturës,z.Aldo Bumçi që u duk sikur "iu shpalli luftë" keqbërësve hajdutë, në prani të Interpolit... Por dy ditë më vonë, ata ia behën në një kishë të Gjirokastrës e si për ironi morën plot 27 ikona,të cilat thonë se ishin të hershme e me vlerë. E kështu, këto të 27-a iu shtohen atyre të 2200-ve... U duk se nuk vlejti shumë ajo konferenca kundër trafikimit e pro mbrojtjes, mbase lajmi nuk shkoi gjer në fshatin Gjirokastrës, ku disa "trimosha" guxuan të prekin pasurinë e trashëgimisë shqiptare duke ndihmuar zhdukjen e saj. Nga ana tjetër, Izet Duraku Drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Veprave të Artit thotë se nuk mund të sugjerojë një sistem rojesh për këto objekte me rëndësi, por do të sugjeronte ndërgjegjësimin për domethënien e humbjes së elementëve kombëtarë. Po a mjaftojnë vetëm fjalët?! A kanë mjaftuar ndonjëherë vetëm fjalët? Mbase po të ishte për fjalë, hajdutët s'do të guxonin t'i vidhnin ikonat menjëherë mbas konferencës së mbajtur plot pompozitet në Tiranë. Duket se mungojnë veprat dhe vepra të mëdha e masa të menjëhershme. Fjalët i merr era thotë populli, e kësaj ne po i shtojmë se ndërsa fjalët i merr era, objektet e trashëgimisë, po i merr trafikimi. Mbase vite më vonë do t'i shohim në ndonjë muze fqinj si "dëshmi e artit të tyre ta madh, e kulturës së gjerë..."
Sot rezultojnë të vjedhura e mbase të trafikuara rreth 2180 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare. Në ç'kohë janë vjedhur?
Vjedhjet e këtyre veprave të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore janë bërë që nga viti 1991 deri në vitin 1997. Pra shumica gjatë këtyre viteve, ndërsa mund të shkojë rreth 155 numri i një pjese tjetër që janë vjedhur pas vitit 2000.
Si është bërë e mundur identifikimi i objekteve të vjedhura?
Këto objekte janë kataloguar pasi janë vjedhur duke marrë parasysh raportimet e bëra me shkrim nga institucionet që i kanë humbur ato e që i kanë pasur në inventarët e tyre. Ne si Qendër Kombëtare e Inventarizimit të Veprave të Artit, nuk i ruajmë veprat, thjesht i regjistrojmë.
Ku shtrihet më së shumti harta e vjedhjeve ?
Harta e vjedhjeve shtrihet në të gjithë vendin dhe përqendrohet kryesisht në muze. Pjesa më e madhe e objekteve të zhdukura kanë qenë të ekspozueshme, çka nënkupton që kanë qenë edhe në gjendje të mirë. Muzetë që kanë humbur më shumë objekte janë ata të Butrintit, Apolonisë, ai Arkeologjik i Durrësit dhe fondet e Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Konkretisht, çfarë është bërë për shmangien e trafikimit të këtyre objekteve?
Është bërë ndërgjegjësimi i strukturave të ruajtjes së trashëgimisë si edhe kuadri ligjor, plotësimi i të cilit është i rëndësishëm. Mendoj se ai duhet të jetë në harmoni me legjislacionin europian që të ketë luftë efikase ndaj trafikimit. Di që janë marrë edhe masa të tjera për ruajtjen, si për shembull instalimi i sistemeve të alarmit. Sigurisht, do ketë luftë të vazhdueshme mes vlerave dhe antivlerave sa i takon tendencës së veprimeve të paligjshme. Është mirë të arrihet dhe po vërtetohet që kjo luftë sa vjen e bëhet me efikase. Do të thosha që sistemet e alarmit në muze të rëndësishëm.
Ju si qendër, shpesh herë shkoni edhe nëpër rrethe, ku "kontrolloni" gjendjen e muzeve. Çfarë keni vënë re në këto vizita?
Kemi vënë re që më të ekspozuara ndaj rreziqeve janë objektet që gjenden në zonat e thella në jug të vendit, në fshatra ku emigracioni e ka rralluar numrin e njerëzve dhe ku këto mungesa e vështirësojnë ruajtjen. Duke qenë në vende të tilla, objektet janë larg vëmendjes së njerëzve dhe banorëve dhe kjo i bën më të rrezikuara.
Në vëmendje të grabitësve janë kishat që strehojnë ikona të vjetra. A kanë roje këto kisha?
Sistem rojash për kishat nuk ka, por në disa vende kanë qenë vendosur kujdestarë. Megjithatë, ruajtja e tyre s'është me sistem 24 orësh. Në rastin e fundit në Gjirokastër, kujdestari i ka konstatuar menjëherë vjedhjen dhe ka lajmëruar policinë. Megjithatë, me roje do të ishte një sistem tjetër, më i sigurt.
Atëherë pse nuk i sugjeroni Ministrisë një sistem rojesh për disa objekte?
Unë s'mund të sugjeroj sistem rojesh. Unë sugjeroj shtimin e ndërgjegjësimit në mënyrë që njerëzit ta konsiderojnë krim vjedhjen e objekteve të trashëgimisë. Duhet t'iu dhimbsen objektet që humbasin sepse po humbasin pjesë të identitetit tonë kombëtar.
Si funksionon bashkëpunimi me Interpolin?
Ky bashkëpunim i vendosur është efektiv sepse ekziston "Interpol Tirana" që ka lidhje me strukturat analoge në qendra të tjera dhe me qendrën kryesore në Lion. Përfaqësuesin e Interpoli e kemi njohur me punën tonë në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Ata janë të interesuar që të gjitha objektet e humbura të shfaqen e të shpallen në kërkim. Që një gjë e tillë që bëhet e mundur duhet që këto objekte të kenë një identifikim të saktë shkencor, të jenë të identifikueshme, të raportohen përmasat, pesha, fotografia, etj. Një pjesë e humbur e veprave, ekziston si listë, po nuk kemi fotografi, po përpiqemi të sigurojmë foto. Ai mund të kërkojë vetëm ato që mund të kërkohen. Deri tani vetëm 13 objekte ekzistojnë me foto e me të dhëna të sakta dhe vetëm këto janë në kërkim nga Interpoli. Po punojmë që të plotësojmë me dokumentacionin që ta plotësojmë për të gjitha veprat e humbura. Ka një problem këtu që kushdo që ka vjedhur objektet i ka marrë ato bashkë me dokumentacionin.
Po ç'mund të bëhet për ruajtjen e këtyre objekteve?
Një nga sugjerimet është që të mos ruhen në inventarë, jo me çmime të komunizmit, por me çmime reale. Sepse duke i mbajtur me çmimet e asaj kohe mbase nxisim keqbërjen për t'i zhvlerësuar. Ky është sugjerimi ynë sepse s'mund të sugjerojmë ato që s'mund t'i bëjmë. Këto nuk kanë treg dhe nuk do të ketë sepse veprat s'mund të ikin jashtë vendit, ligji lejon të qarkullojnë sipas rëndësisë. Në doganë ka kontroll, që objektet e trashëgimisë të mos dalin jashtë vendit. Dogana nga ana tjetër, ka akses në serverin tonë dhe mund të konfirmojnë nëse veprat janë të regjistruara apo jo. Por, fatkeqësisht, ato kalohen edhe në mënyrë ilegale në rrugë të tjera..

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›