Greqi, mijëra protestues në shesh kundër masave të qeverisë
Kryeqyteti grek, është përfshirë sërish nga protestat dhe marshimet nëpër rrugë e sheshe. Rreth 3.000 manifestues të dy sindikatave kryesore, por edhe radikalë të majtë protestuan të mërkurën në mbrëmje kundër ndryshimeve në siguracionin social dhe pensionet, që shkurtohen nga 7 deri në 10 % sipas ndryshimeve në projektligjin e paraqitur nga qeveria. Protestuesit me flamuj të zinj në duar përfunduan para parlamentit që ruhej nga forca të shumta policore. "Masave të padrejta dhe antisociale financiare që po aprovon qeveria i shtohet tani edhe një projektligj akoma më i padrejtë për siguracionin social" deklaroi presidenti i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë Janis Panagopullos. Sindikata në fjalë së bashku me atë të sektorit publik shpallën grevë të përgjithshme për të enjten e ardhshme, më 20 maj. Rreth 3000 punëtorët që i përkisnin sektorit publik, unionit ADEDY, dhe unionit privat kryesisht nga unioni GSEE, si dhe të tjerë punëtorë që i janë bashkuar Lëvizjes Komuniste, mbushën rrugët e Athinës për të protestuar për ndryshimet në sistemin e pensioneve, të cilat janë pjesë e programit ekonomik të kursimit. Gjatë protestës lexoheshin banderola ku shkruhej "Qeveria, Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar", po na vjedhin të drejtat". Dy unionet kanë thirurr një grevë të përgjitshme 24 orëshe në 20 maj.