E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika amerikane shton presionin për situatën në Maqedoni



Politika amerikane ka shtuar interesin dhe angazhimin e saj për situatën e krijuar në Maqedoni. Moszgjidhja e kontestit të emrit, tensionet ndëretnike dhe incidentet e armatosura, kanë vënë në gatishmëri politikën amerikane. Për të diskutuar lidhur me këto çështje, Shkupin e viziton sot ndihmës sekretari i shtetit për çështje europiane dhe euroaziatike, Filip Gordon. Kjo është vizita e tij e parë në Maqedoni, që nga maji 2009 kur Daniel Frid ia dorëzoi detyrën.
Gjatë vizitës së tij, ndihmës sekretari Gordon, i shoqëruar nga ambasadori Riker do të takojë presidentin e shtetit George Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski, kryetarin dhe deputetin e BDI-së Ali Ahmeti, dhe kryetarin e LSDM-së Branko Cërvenkovski. çarls Kupçan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, në Shtetet e Bashkuara ka vlerësuar se vizita e Gordon dërgon një sinjal të rëndësishëm, mbi angazhimin e vazhdueshëm amerikan në maqedoni. "Ballkani tani është rikthyer në fokus. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, në kuptimin që Ballkani ka ecur në drejtimin e duhur, por ende nuk ka mbërritur aty ku duhet", ka theksuar Kupçan, duke shtuar se Europa duhet të jetë më e angazhuar në Ballkan, duke qenë se në shumë aspekte puna ka mbetur e papërfunduar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›