E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, negociatat për qeverinë, tjetër "JO" për Venizelos

ATHINE - Një "Jo" e re për Venizelos nga kreu i SYRIZA, Aleksis Cipras, i cili deklaroi pas takimit se “SYRIZA respekton mandatin e popullit më 6 maj, për anulimin e Memorandumit të masave”. Ai tha se nuk pranon të bëhet pjesë e një qeverie, që do të ushtrojë sërish masa të reja financiare mbi popullin.

Kreu i PASOK, Venizelos deklaroi se këmbëngul për një qeveri uniteti kombëtar, me kusht Greqinë në euro dhe rishikimion e Memorandumit. Venizelos ashtu si dhe Samaras më herët, akuzoi Cipras se po pengon krijimin e qeverisë. Po sot Venizelos shkarkoi gjithë Këshillin politik të partisë, me qëllim siç tha, "rigjenerimin".

Ndërkaq më herët, Venizelos takoi liderin e Demokracisë së Re, Antonis Samaras, i cili theksoi dy kërkesat e partisë së tij; Greqia në Euro dhe rinegociimi i Memorandumit. Samaras tha se Greqia po hyn në një epokë të re dhe zgjidhjen do ta gjejnë ata që mund të tejkalojnë të djeshmen. “SYRIZA nuk ishte gati për përgjegjësitë e pushtetit”, tha ai duke e akuzuar këtë forcë politike për indiferentizëm, populizëm dhe si shkaktare të çuarjes së vendit në zgjedhje të tjera. Kryetari i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos nuk iu përgjigj ftesës, ndërsa takimi i parë me Fotis Kouvelis, kryetari i DIMAR, u cilësua një "hap pozitiv". Venizelos tha se nesër do të shkojë te presidenti Papulias për ta njohur me negociatat dhe idetë e tij.

Në këtë klimë të krijuar, kreu i PE Martin Schulz shtyn vizitën e parashkuar në Athinë, ndërsa ish kryeministri i qeverisë së përkohshme Lukas Papadhimos zhvilloi një takim urgjent me presidentin e Republikës Karolos Papulias. Papadhimos tha se duhet të informojë Presidentin për çështje të politikave financiare dhe të sektorit të jashtëm, të cilat kërkojnë trajtim të menjëhershëm. Mësohet se është folur për cështjen e shlyerjes së 435 milionë eurove deri në 15 Maj dhe lidhur me përfaqësimin e vendit në Samitin e NATO-s në 23 Maj. 

Sapo Venizelos të dorëzojë mandatin, është radha e Presidentit Papulias të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit”, për të formuar një qeveri dhe në pamundësi, shpallen menjëherë zgjedhjet e reja.

Dilema e presidentit Papulias

Në bazë të Kushtetutës Presidenti duhet të thërrasë këtë fundjavë ose më së shumti të hënën, për konsultime kryetarët e partive. 

Kushtetuta greke nuk jep përgjigje të qartë për pyetjen, se cilët politikanë merren në konsideratë për këtë qëllim. Nëse Kushtetuta interpretohet me dorë të lirë, atëherë duhet të ftohen të gjithë liderët partiakë, të cilët kanë arritur të hyjnë në parlament. Kjo do të thotë se duhet të ftohet në negociata për qeverinë edhe neonazisti Nikolaos Mihaloliakos. 

Pikërisht presidentit grek Karolos Papulias, i cili luftoi 15 vjet në Luftën e Dytë Botërore kundër nazistëve, do t'i duhet të ulet në tryezë me një nacionalist ekstremist të deklaruar, i cili përshëndet si Hitleri.

Juristi i së Drejtës Kushtetuese Jorgos Sotirellis mendon se një skandal i tillë politik të mund të shmanget. "Arsyeja e vetme pse Kushtetuta nuk përmban një formulim konkret për këtë çështje është që kreut të shtetit t'i lihet liria më e gjerë e mundshme për të vepruar. Ai nuk është i detyruar të ftojë ose të mos ftojë politikanë të caktuar," thotë Sotirellis për "Ta Nean".

Nëse as ndërmjetësimi i presidentit nuk jep fryte, atëherë lëvizjet partiake politike të ditëve të fundit, do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në zgjedhje të reja.

Çfarë do të ofrojnë zgjedhjet e reja?

Sipas një sondazhi paszgjedhor, rezulton se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve në Greqi, koalicioni i Majtë SYRIZA kalon forcë e parë me 128 vende në parlament. Pas saj del forcë e dytë Demokracia e Re me 57 vende dhe PASOK me 36 vende. 

Nëse këto rezultate pasqyrohen edhe në zgjedhjet, me shumë gjasë pas një muaji në Greqi, do të kemi një qeveri të majtë.
Lidhje te tjera SYRIZA dhe Agimi i Artë, dy forcat që tronditën skenën politike greke Greqi, nëse përsëriten zgjedhjet, SYRIZA del forcë e parë  Brukseli e Berlini: Eurozona mund t'ia dalë dhe pa Greqinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›