E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, nuk ka para për pagesat e pensioneve të muajit Dhjetor

ATHINE - Pagesa e pensioneve për muajin Dhjetor në Greqi është në pikëpyetje. 

Krerët e Ministrisë së Punës dhe Sigurisë Sociale, janë të alarmuar për faktin se vonesa në lëvrimin e dozës gjashtë të huasë për Greqinë, do të shkaktojë probleme të likuiditetit dhe në pagesat e pensioneve të nëntorit dhe dhjetorit.

Sot ka një takim mes krerëve të ministrisë së Punës dhe atyre të ministrisë së Financave, me qëllim që të gjenden fonde për të shmangur ndalimin e pagesës së pensioneve. 

Një takim i ngjashëm është mbajtur për këtë çështje edhe të hënën në Ministrinë e Punës, kryesuar nga ministri Kutrumani me pjesëmarrjen e zv.ministrit të Financave dhe administratorëve të fondeve të pensioneve. 

Gjatë kësaj mbledhjeje u bë e qartë se ka nevojë urgjente për të gjetur 450 milion Euro nga buxheti dhe se cdo zgjidhje tjetër është joadekuate.

"Nëse kësti i gjashtë nuk disbursohet deri në fund të dhjetorit, fondet e pensioneve do të përballen me probleme," paralajmëroi nëpërmjet televizionit SKY dje sekretari i përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, duke theksuar se edhe nëse gjendet një zgjidhje për nëntorin, pagesat e dhjetorit, varen vetëm nga kësti i gjashtë.

Ndërkaq lirimi i këstit të gjashtë është edhe qëllimi i ardhjes së Trojkës në Athinë. Misioni i Trojkës pritet të fillojë të hënën procesin e shqyrtimit të veprimeve parakusht, nga të cilat do të varet lëvrimi i këstit të gjashtë dhe koha e disbursimit para Krishtlindjeve. 

Vizita e Treshes (Pooul Thomsen nga FMN, Mathias Morse nga Komisioni Evropian dhe Klaus Mazouch nga BQE), është fillimi i negociatave zyrtare për një program të ri financimi prej 130 miliard euro. 

Qeveria është e shqetësuar për gjendjen e buxhetit 2011, dhe për rrezikun që të mos arrihet objektivi për uljen e deficitit në 9% të PBB-së. 

Në një cast të tillë vendimtar bëhet edhe vizita e Kryeministrit në Bruksel. Papadhimos do të diskutojë të hënën të gjitha çështjet e hapura me presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso dhe Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›