E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koret raciste maqedonase, PDIU: Autoritetet të reagojnë

TIRANË- Edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka dënuar sot thirrjet raciste të tifozëve maqedonas gjatë ndeshjes miqësore të mbajtur dje në Prilep, mes kombëtares sonë të futbollit e asaj maqedonase. Sipas PDIU, autoritetet shqiptare dhe maqedonase duhet të reagojnë dhe partitë shqiptare në Maqedoni duhet të frenojnë këto akte.

"Fyerjet e tifozëve maqedonas u drejtohen të gjithë bashkëkombasve tanë, përfshi edhe ata të cilët luajnë me fanellën e Maqedonisë. Këto fyerje duhet të gjejnë përgjigje të menjëhershme nga autoritetet shqiptare dhe maqedonase, sidomos nga partitë shqiptare në Maqedoni, ku harmonia ndërmjet dy etnive duhet të jetë bazë e shtetit maqedonas", thuhet në reagim.

PDIU u shpreh më tej se “Nëse kjo harmoni nuk arrihet, atëherë Maqedonia nuk mund të pretendojë të ardhme evropiane si shtet. Kombi shqiptar, si kombi më i lashtë në Ballkan nuk mund të pranojë fyerje nga asnjë komb tjetër, e nga asnjë grupim, sidomos në momentin kur shteti maqedonas mbahet në këmbë pikërisht nga bashkëkombësit tanë. Reagimi i menjëhershëm i autoriteteve maqedonase dhe sidomos i partive shqiptare aty është tashmë një domosdoshmëri”, thuhet në deklaratë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›