E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, nuk ka para për pensionet e muajit Dhjetor

ATHINE - Shteti grek nuk ka para të paguajë pensionet e muajit Dhjetor, nëse lëvrimi i këstit të gjashtë të ndihmës prej 8 miliardë Eurosh, nuk bëhet brenda këtij muaji.

Krerët e Ministrisë së Punës dhe Sigurisë Sociale, janë të alarmuar për faktin se vonesa në disbursimit të dozës gjashtë të huasë, do të shkaktojë probleme të mëdha në pagesat e pensioneve në këtë fundvit.

Sot ka një takim mes krerëve të ministrisë së Punës dhe atyre të ministrisë së Financave, me qëllim që të gjenden fonde për të shmangur ndalimin e pagesës së pensioneve.

Një takim i ngjashëm për këtë çështje është mbajtur edhe të hënën në Ministrinë e Punës, kryesuar nga ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, me pjesëmarrjen e zv.ministrit të Financave dhe administratorëve të fondeve të pensioneve.

Gjatë kësaj mbledhjeje u bë e qartë se ka nevojë urgjente për të gjetur 450 milion Euro nga buxheti dhe se cdo zgjidhje tjetër është joadekuate.

"Nëse kësti i gjashtë nuk disbursohet deri në fund të dhjetorit, fondet e pensioneve do të përballen me probleme," paralajmëroi dje nëpërmjet televizionit SKY sekretari i përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, Athena Dretta, duke theksuar se edhe nëse gjendet një zgjidhje për nëntorin, pagesat e dhjetorit, varen vetëm nga kësti i gjashtë.

Lirimi i këstit të gjashtë të huasë për Greqinë, është edhe qëllimi i ardhjes së Trojkës të premten në Athinë, që do të shqyrtojë zbatimin e parakushteve të vendosura, nga të cilat do të varet lëvrimi i këstit të gjashtë dhe koha e disbursimit të tij para Krishtlindjeve. 

Ndërkaq sot kreu i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker gjatë fjalës së tij në Parlamentin Evropian siguroi se “vendimi për lirimin e këstit të gjashtë në Greqi, do të merret para fundit të nëntorit 2011”.

Juncker theksoi se në funksion të këtij qëllimi, pritet një letër nga kryeministri i ri i Greqisë për programin që qeveria e tij do të ndjekë në zbatimin e masave dhe rekomandimeve të dhëna nga Trojka.

Në të njëjtën kohë, për lirimin e këstit të gjashtë prej 8 miliardë euro, Komisioni Evropian mbetet i vendosur në kërkesën e tij për një garanci me shkrim nga krerët politikë dhe të qeverisë, për zbatimin e marrëveshjes së 26 tetorit, ndërsa Antonis Samaras vazhdon të refuzojë për të vënë nënshkrimin e tij në këtë dokument.

Në këtë cast të tillë kritik bëhet edhe vizita e Kryeministrit në Bruksel, ku do të diskutojë të gjitha çështjet e hapura me presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso dhe Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›