E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, operacion i gjerë policor për kapjen e Marian Kolës

Që nga mesdita e djeshme policia greke po zhvillon një operacion të gjerë për kapjen e shqiptarit të arratisur nga burgu i Trikalas, Marian Kola. 

Marian Kola së bashku me një person tjetër, që besohet se është gjithashtu nga grupi i të arratisurve shqiptarë, janë ndeshur dje në mesditë nga një grup zjarrfikësash, teksa ndiznin një zjarr në një pyll, në zonën e Ftiotidas, në Lamia. 

Zjarrfikësve iu ka tërhequr vëmendjen tyta e një automatiku të fshehur, që mbante njëri prej tyre. Kanë folur me ta dhe iu kanë kërkuar emrat, por nuk kanë marrë përgjigje. Zjarrfikësit njoftuan policinë, e cila iu tregoi fotot e personave të kërkuar dhe ata kanë njohur mes tyre Marian Kolën. 

Menjëherë policia filloi operacionin e kërkimit, gjatë të cilit sot u gjet e braktisur një makinë Nissan, që ishte vjedhur mbrëmë në zonë dhe mendohet se është përdorur prej të dyshuarve. Janë ngritur postblloqe në të gjitha nyjet në rajon dhe po bëhen verifikime në cdo makinë të dyshimtë. Helikopteri dhe qentë nuhatës ndodhen në zonën e pyllëzuar dhe në këmbë janë ngritur forcat e policisë së prefekturave fqinjë me atë të Lamias.

Policia greke e akuzon të arratisurin Marian Kola për vrasjen e 25 vjecares greke Katerina Zogali. E reja humbi jetën nga plumbat më 30 mars, gjatë shkëmbimit të zjarrit të Kolës me policinë, në ndjekje e sipër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›