E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, opozita kundër nënshtetësisë së emigrantëve

ATHINE-Një muaj pas fillimit të zbatimit të ligjit për dhënien e nënshtetësisë fëmijve të emigrantëve, lideri i opozitës greke, Antonis Samaras i është rikthyer përsëri me tone të larta kësaj çështjeje, duke mos u ndalur thjesht në kritikën e zakonshme ndaj qeverisë socialiste.

Sic bën të ditur seksioni në shqip i BBC, kreu i Demokracisë së Re ka parashtruar platformën e tij për emigracionin, që në një shikim të parë, konsiston në asimilimin e emigranëve që duan të integrohen në shoqërinë greke, ndërsa e ka ndërvarur procesin e integrimit me sasinë e emigrantëve që, siç ka theksuar, është në gjendje të durojë shoqëria vendase.

“çdo politikë emigracioni duhet të krijojë valvula sigurie për integrimin e emigrantëve. Kështu që ky të bëhet normalisht dhe gradualisht, me objektiv final integrimin e emigrantëve që mund të durojë një shoqëri”, ka thënë lideri i partisë më të madhe opozitare greke.

Samaras është ndalur më shumë në procesin e dhënies së nënshtetësisë fëmijve të emigrantëve, duke theksuar se kur partia e tij të vijë në pushtet, do ta shfuqizojë ligjin përkatës që u votua në muajin mars.

"Jemi të detyruar që këtë ligj të PASOK-ut ta ndryshojmë, kur Demokracia e Re të marrë pushtetin. Dhe angazhohemi qartë që tani për këtë. Fëmijtë e emigrantëve të ligjshëm që lindin këtu do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë kur të arrijnë moshën madhore. Mirëpo, që të ushtrojnë këtë të drejtë do të duhet të zgjedhin ndërmjet nënshtetësisë greke dhe nënshtetësisë së vendit të prindërve të tyre, dhe së dyti të kenë kryer arsimin nëntëvjeçar, që është i detyrueshëm edhe për grekët".

Sic ben te ditur BBC, lideri i opozitës i ka mëshuar idesë së asimilimit, ndonëse nuk e ka cilësuar shprehimisht kështu. “Nëse fëmijët që do të marrin nënshtetësinë do të zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem”, tha lideri i opozitës.

Por ministri i brendshëm, Janis Ragusis, nën drejtimin e të cilit u hartua ligji për nënshtetësinë, e ka quajtur si historik këtë vendim të qeverisë greke.

Në një takim me përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve në Athinë, ministri i brendshëm i Greqisë, ka deklaruar se, megjithë presionet e së djathtës, qeveria nuk do të bëjë mbrapa në vendimin e vet, i cili po zbatohet që prej një muaji.

"Nuk kemi për të bërë asnjë centim prapa. Sepse besojmë vërtetë te kjo që bëmë, besojmë se kjo do të ndihmojë Greqinë dhe të gjithë neve, se do të krijojë vërtetë një shoqëri e cila do të jetë shumë më e mirë se sa kjo që është sot, ose nga sa do të ishte në të ardhmen, nëse do të vazhdohej ky regjim i papranueshëm i mungesës së rregullave, mungesës së parimeve, një regjim i papranueshëm izolimi i qindra mijë emigantëve", tha ministri i brendshëm grek, Janis Ragusis.

Legjislacioni për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve parashikon procedura të thjeshtëzuara dhe të shpejta.
Tre kushtet janë, që fëmijët, ose të kenë lindur në Greqi, ose të kenë kryer gjashtë vjet në sistemin arsimor grek dhe prindërit e tyre duhet të kenë qëndrim të ligjshëm në Greqi.

Në të vërtetë, pozicionimi i liderit të opozitës përbën një përsëritje të tezave që i shpalosi gjatë një debati tepër të ashpër e të gjatë parlamentar, kur po diskutohej projektligji për nënshtetësinë. Por tashmë këto teza janë paraqitur më të plota e më të argumentuara, sipas filozofisë së opozitës.

Nga ana tjetër, bën përshtypje momenti kohor që opozita e nxjerr përsëri në skenë këtë çështje, në të njëjtën ditë që përfundoi procesi zgjedhor i organeve drejtuese të Demokracisë së Re, e cila po bën përpjekje të marrë veten nga disfata në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ky moment kohor vlerësohet nga analistët se dëshmon se Demokracia e Re i jep një prioritet të veçantë çështjes së emigracionit, në kohën që problemi më kardinal i Greqisë është përballimi i pasojave të krizës ekonomike financiare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›