E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, përdoruesit e drogës nuk do të penalizohen më

ATHINË- Përdoruesit e drogës në Greqi nuk do të penalizohen më, sipas projektligjit "Kod i ri ligjesh për narkotikët", që e bëri publik ministri grek i Drejtësisë, Miltiadhis Papajoanu.
Gjithsesi, fjalën e fundit në të gjitha rastet do ta ketë drejtësia, që do të shqyrtojë dhe gjykojë përdoruesit, shpërndarësit, kultivuesit e kanabisit, trafikantët e mëdhenj të drogës e tjerë.
Projektligji në fjalë u miratua nga Këshilli grek i Ministrave dhe do të jepet për debat publik para se të marrë trajtën përfundimtare.
''Në Greqi shënohen 300 vdekje në vit nga përdorimi i substancave narkotike'', tha Papajoanu, ndërsa në burgjet e vendit vuajnë dënime ose presin gjykimin rreth 4 500 persona me akuza që burojnë nga ligji për narkotikët.
Ministri deklaroi se kostoja e zbatimit të projektligjit në fjalë është minimale, në krahasim me dobinë shoqërore dhe shtoi se së shpejti do të fillojë dhënia e metadonës brenda në mjediset e burgjeve si zëvendësues i lëndëve narkotike.
Papajoanu tha se projektligji për narkotikët ka si pikë qendrore referimi kthesën në trajtimin teraputik të përdoruesit të ndërvarur.
''Ky është një ndryshim strategjie në politikën e ndjekur deri më sot", theksoi ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›