E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, pjesëmarrësit në funeral hëngrën gurabije me kokainë

ATHINE- Plani i përkryer i një bande trafikantësh droge për të trafikuar kokainën, ka marrë përmasa groteske. Një gabim i pabesueshëm, bëri që 60 kg kokainë të mos përfundojnë në destinacionin e duhur, por në një funeral.

Ngjarja e rrallë ka ndodhur në Athinë, ku një bandë bullgare e trafikantëve të drogës, u përpoq ta transportojë sasinë e madhe të kokainës, duke e vendosur atë si pudër mbi gurabijet tradicionale, që prodhoheshin nga një kompani e njohur ëmbëlsirash.

Banda shfrytëzoi faktin që një nga anëtarët e saj punonte në këtë kompani dhe hartoi një plan, i cili përfundoi në mënyrë krejt të paparashikuar.

Kokaina u vendos mbi gurabijet dhe deri këtu gjithcka dukej në rregull, por më pas çdo gjë morri kthesë të papritur kur një familje, ku kishte ndodhur një vdekje, porositi një sasi të madhe gurabijesh për funeralin.

Anëtari i bandës së trafikut të drogës që punonte në dyqanin e ëmbëlsirave, dërgoi tek porositësi gurabijet me kokainë, duke bërë që funerali të kthehet në një ngjarje të pazakontë. Pasi hëngrën gurabijet e pudrosura me kokainë, të pranishmit në funeral filluan të tregojnë sjellje të çuditshme, madje krijuan edhe disa incidente, për të cilat pati denoncime në polici.

Policia pas hetimit të shpejtë konstatoi se gurabijet kishin përbërje droge dhe pasi mësoi ku ishin blerë, bastisi dyqanin e ëmbëlsirave, në të cilin gjeti edhe një pjesë tjetër të kokainës ende të pashitur.

Pas marrjes në pyetje, punonjësi i dyqanit, që bëri shitjen e gabuar, foli për anëtarët e tjerë të grupit, të cilët u arrestuan dhe sasia e mbetur e gurabijeve të rralla me kokainë, u konfiskua.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›