E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, policia përplasje me protestuesit

Policia greke përballet me protestuesit në kryeqytetin helen ku të rinj qëlluan me gurë mbi forcat e rendit e sulmuan dhe rojet para parlamentit helen. Policia u kundërpërgjegj me gaz lotsjellës ndërsa të rinjtë me kapuç i qëllonin me cfare t’u zinte dora, gurë e shkopinj, e madje dhe bomba molotov, menjëherë pas përfundimit të protestës gjigante ku mijëra njerëz marshuan në mënyrë paqësore për të kundërshtuar masat e qeverisë.

Nga Athina bëhet e ditur se janë thyer dritare dyqanesh e banesash. Policia bën të ditur se u arrestuan nëntë persona e nuk ka pasur të dhëna për të plagosur. Një zyrtar i ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarëve i quajti të rinjtë anarkistë e deklaroi se ishin rreth 200 ata që sulmuan forcat e rendit . Trazirat në kryeqytet zgjatën për rreth dy orë.

Greva e sotme e qindra mijë punonjësve ka paralizuar transportin dhe shërbimet publike. Hapësira ajrore greke mbetet e mbyllur për 24 orë, ndërsa anijet janë bllokuar në porte. Gazetarët, mësuesit, mjekët e spitaleve shtetërore dhe kontrollorët e trafikut ajror, janë në mesin e atyre që ndërprenë punën.

Nën presionin e Bashkimit Evropian, Greqia shpalli një plan të dhembshëm për shkurtimin e shpenzimeve, të cilin sindikatat e punonjësve e kundërshtojnë. Greqia ka një deficit prej 12.7%, katër herë më të lartë se ç'lejohet në eurozonë. Qeveria ka vendosur ta ulë këtë deficit në 8.7 % këtë vit dhe të zvogëlojë borxhin kombëtar duke shkurtuar rrogat e punonjësve të shërbimeve publike, duke ngritur moshën e pensionit dhe duke rritur TVSH-në.

Bashkimi Evropian ka premtuar ta ndihmojë Greqinë, por nuk ka shpallur ende masa konkrete.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›