E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, protesta madhështore kundër qeverisë

ATHINE- Protesta madhështore janë zhvilluar mbrëmë në shumë qytete të Greqisë, protesta të cilat do të vazhdojnë sërish sot në mbrëmje.
Më e madhja protestë është shënuar në Athinë, kur sipas mediave rreth 25 000 kaluan natën jashtë, në sheshin para Parlamentit, për të protestuar kundër masave “antikrizë” të qeverisë greke.

Mijëra njerëz të të gjitha moshave, edhe me fëmijë e pleq, kishin dalë në sheshin Sintagma në Athinë, duke hedhur parrulla kundër qeverisë në një atmosferë paqësore.
Mesazhi i kësaj proteste sipas mediave është ai se grekët janë më në fund zgjuar nga gjumi, dhe këtë ide e ilustronte parrulla: ”Sa është ora? Ne jemi zgjuar, është ora që ju të ikni!” – drejtuar politikanëve.

Protestuesit nuk zbritën në shesh me flamujt e partive politike, dhe as të organizuar nga sindikatat. Ata dolën të protestojnë vetëm e vetëm sepse nuk munden më të përballojnë masat shtrënguese, që vazhdon të marrë qeveria.

Protestuesit këndonin shpesh himnin kombëtar dhe ftonin politikanët të largohen duke i cilësuar ata si “vjedhës”.

Mediat thane se gjatë gjithë natës në këtë zonë u bllokua qasja në internet ndoshta për shkak të ngarkesës së madhe, por nuk përjashtohet edhe mundësia e një sabotazhi, për shkak se njerëzit hidhnin imazhet dhe fotot në kohë reale në internet për t’I treguar botës protestën e tyre madhështore.

Protesta të tilla u zhvilluan mbrëmë edhe në Selanik, Patra, Volos dhe Kretë, ndërkohë që thirrja është lëshuar për një grumbullim masiv sonte në mbrëmje në orën 18 00.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›