Greqi, qeveria Papadhimos bën betimin

Kabineti i ri qeveritar i Greqisë dhe kryeministri Lucas Papadhimos janë betuar zyrtarisht për detyrën, një javë pas tërmetit politik që tronditi vendin.
Shpalosja e kabinetit qeveritar ka lënë në në pozitat e zevendeskryeministrave Theodoros Pangalos dhe Evangelos Venizelos. Për opozitën janë rezervuar ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes, ndërsa Financat mbeten në duart e Venizelos.
E gjithë qeveria e re e kualicionit numëron 49 anëtarë të cilët nën drejtimin e Lukas Papadhimos, u betuan sot para Presidentit të Republikës Karolos Papulias.
Skema e re e qeverisë ka sjellë ndryshime në katër ministri, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, e Brendshme, e Mbrojtjes dhe e Transportit.
Zëvendësministrat janë shtuar përkatësisht në Ministrinë e Brendshme, të Financave, Mbrojtjes, Zhvillimit Rajonal dhe tregtar, Zhvillimit Rural dhe Turizmit.
Detyra kryesore e qeverisë së re do të jetë aprovimi i paketës së fundit të ndihmave të dhënë nga BE, për të shmangur falimentimin e vendit.
Zoti Papadhimos, që nuk është një kryeministër i zgjedhur, ka deklaruar se prioriteti i tij do të jetë mbajtja e Greqisë në zonën euro.
Ai do të ketë për detyrë vënien nën kontroll të borxhit deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që sipas të gjitha gjasave do të mbahen në shkurt.
Kryeministri në ikje, Jorgo Papandreu u detyrua të jepte dorëheqjen pas apelit katastrofik për një referendum mbi paketën e ndihmave të eurozonës.
Plani për referendum u rrëzua brenda pak ditësh, por jo pa shkaktuar një krizë politike dhe financiare që kërcënoi të gëlltiste tërë eurozonën.