E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, qeveria fillon punën, Trojka pritet të mbërrijë në Athinë

ATHINE - Në Greqi, në fillim të javës së ardhshme, vjen sërish një ekip i Trojkës për të filluar negociatat me qeverinë e re. 

Diskutimet do të lidhen me verifikimin e asaj se cfarë ka arritur qeveria e Athinës, sipas kërkesës së huadhënësve për të autorizuar zhbllokimin e këstit të gjashtë dhe për zbatimin e vendimeve të Samitit të 26 Tetorit.

Por duket se lirimi i këstit të gjashtë do të jetë më i lehtë, pas emërimit të Lukas Papadhimos në krye të qeverisë së përkohshme greke. 

Drejtoresha e FMN-së është shprehur e kënaqur me zhvillimet politike në Greqi. 

"Ajo që duam, është një stabilitet politik dhe një politikë të qartë ", tha znj Lagarde, duke folur për Greqinë nga Tokio. 

"E mirëpres caktimin e Kryeministrit Lukas Papadhimos dhe e di mirë se ne mund të fillojmë të shqyrtojmë menjëherë pagesën e këstit të gjashtë dhe më pas marrëdhëniet e Fondit me Greqinë", garantoi Legarde. 

"Unë besoj se progres i rëndësishëm është bërë," shtoi ajo.

Ndërkaq lirimi i këstit të gjashtë, miratimi i marrëveshjes së kredisë dhe zbatimi i politikave ekonomike që rrjedhin nga marrëveshja e 27 tetorit, janë prioritetet kryesore të qeverisë së re. 

“Përballemi me një kohë të vështirë dhe kemi nevojë për të gjitha kontributet”, tha kryeministri Papadhimos në takimin e parë të kabinetit. 

Ai theksoi se duhet rifituar besimi i humbur duke u fokusuar në stabilizimin e ekonomisë reale. 

Kryeministri njoftoi se ditët e ardhshme do të caktojë komision qeveritar dhe iu kërkoi ministrave të përgatisin propozimet për përparësitë e secilit dikaster.

Në mbledhjen e parë të qeverisë, ministri i financave Venizelos, siguroi se nuk do të ketë masa të reja, por theksoi se është i domosdoshëm zbatimi i atyre që janë votuar. 

Ai tha më tej se parësore është zhbllokimi i këstit të gjashtë para 15 Dhjetorit, hapja e negociatave me Trojkën për marrëveshjen e re të kredisë, paraqitja dhe miratimi i buxhetit të ri brenda nëntorit dhe krijimi i kornizës ligjore për prerjen e bonove në masën 50%.

Votëbesimi i qeverisë së re në parlament do të zhvillohet në mesnatën e së martës. Lidhje te tjera Kriza politike greke, nga referendumi tek qeveria e Papadhimos

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›