E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb jetën ministri i Brendshëm i Meksikës

Ministri i Brendshëm i Meksikës, Francisco Blake Mora, një figurë me rëndësi në luftën kundër karteleve të drogës në vend, ka humbur jetën pas rrëzimit të helikopterit me të cilin po fluturonte, incident për të cilin presidenti Felipe Calderon tha se ka të ngjarë të jetë aksident.

Autoritetet thonë se 45-vjeçari Blake Mora po udhëtonte mes qytetit të Meksikos dhe shtetit Morelos, kur ndodhi aksidenti.

Presidenti Calderon tha se helikopteri u përplas në kushtet e një moti me mjegull dhe se ky ishte ndoshta aksident.

Megjithatë, ai tha se të gjitha shkaqet e mundshme të aksidentit janë duke u hetuar.

Udhëheqësi meksikan u përpoq me vështirësi të kontrollonte emocionet gjatë një fjalimi që mbajti në televizion, në të cilin e përshkroi Blake Moran si patriot të madh.

Calderon anuloi udhëtimin e planifikuar për në Havai, ku ai do të merrte pjesë në takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të Azisë dhe Paqësorit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i telefonoi Calderonit dhe i tha se ishte i shokuar dhe i dëshpëruar nga lajmi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›