E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, recesioni këtë vit parashikohet 5%, papunësia 20%

ATHINE - Tkurrje të ekonomisë greke në masën 5% gjatë vitit 2012 dhe papunësi në masën 20%, në kurbë rritëse, por me ritëm më të ulët nga viti i kaluar, parashikon Fondacioni i Studimeve Ekonomike dhe Industriale (IOBE), në raportin e vet tremujor. 

Studimi parashikon gjithashtu investime më të ulëta për të pestin vit radhazi. 

Sipas IOBE, rishikimi i buxhetit të vitit në vazhdim bëhet i detyrueshëm, jo vetëm për shkak të thellimit të recesionit, por edhe nga vështirësitë që vërehen në mbledhjen e të ardhurave. 
 
Sa i përket ecurisë së përshtatjes së financave publike në fillim të 2012, sipas rezultateve të dymujorit të parë, devijimi më i madh nga objektivi evidentohet, përsëri, në tatimin mbi të ardhurat dhe TVSH-në. 

Deficiti i vitit 2012 parashikohet se do të jetë rreth 2,3 miliardë euro më i madh. 

Ndërkaq, mbetet të shihet nëse masat që u morën, janë ose jo të mjaftueshme për arritjen e objektivave të reja. Në vija të përgjithshme gjykohet se objektivat do të mund të arrihen, nëse zbatohen krejtësisht masat e marra. Nëse Greqia zbaton reformat dhe shkurtimet, borxhi në vitin 2020 mund të bjerë nën 100% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. 

Nga ana tjetër, për të arritur këtë, sipas raportit "Greqia duhet të qeveriset. Balotazhi i zgjedhjeve nuk do të jetë mire për vendin."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›