E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU: Deklarata e zv/ministrit grek, ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë

TIRANE- Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi sot, me anë të sekretarit të saj për Marrëdhëniet me Publikun, Ardit Bido, duke e cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, deklaratën e bërë nga zëvendësministri i Jashtëm grek, gjatë ceremonisë së 20 vjetorit të PBDNJ-së.

Sipas PDIU, kërkesat e minoritetit në census u respektuan, prandaj minoriteti mori pjesë masivisht.
"Përpara pak ditësh, zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, z. Dimitris Dollis, gjatë një aktiviteti të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, deklaroi ndër të tjera se censusi i popullsisë nuk arriti të kryejë atë që kërkonte minoriteti dhe se duhet deomos të rehabilitojmë këtë boshllëk të lënë si pasojë e veprimeve të qarqeve nacionaliste”, theksoi Bido.

Sipas tij, “PDIU, si partia që amendoi ligjin për censusin, duke ndaluar çdo ëndërr megalloideatike të Greqisë për të nxjerrë sa më shumë grekë, nëpërmjet pensioneve, presionit ndaj emigrantëve, etj, reagon ashpër ndaj kësaj ndërhyrjeje të re në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Këto deklarata janë të papranueshme, aq më shumë kur bëhen në prani të përfaqësuesve të lartë të maxhorancës dhe të qeverisë”.

Sipas Bidos, "amendamentet e PDIU-së në ligjin për censusin ishin pikërisht në këtë frymë. Ne amenduam ligjin në fjalë, duke shtuar atë që është e vetkuptueshme, që çdokush ka të drejtë të vetëdeklarohet, por vetëdeklarimi i tij nuk mund të jetë i rremë".

Në këtë mënyrë, vijon Bido, "ligji detyron INSTAT që të verifikojë çdo vetëdeklarim me regjistrin e gjendjes civile. Në ato raste, kur individët kanë deklaruar kombësi të rreme, INSTAT do të marrë për bazë atë kombësi që ndodhet në dokumentet zyrtare, pra në regjistrin e gjendjes civile”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›