E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, rikthimi i sinjalit të ERT nuk e ka zgjidhur krizën

Duket se vendimi i Këshillit të Lartë të Shtetit për rikthimin e sinjalit të ERT në Greqi, nuk e ka zgjidhur përfundimisht situatën e krijuar. 

Vendimi i Këshillit të Shtetit nuk anulon pushimin nga puna të rreth 2 900 punonjësve të radio-televizionit publik. 

Nga ana tjetër edhe PASOK e DIMAR pavarësisht se kritikojnë vendimin e Samaras, nuk janë kundër shkurtimeve në ERT. 

PASOK kërkoi që ministri i Financave të urdhërojë funksionimin e transmetuesit publik, përndryshe të marrë përsipër përgjegjësinë për një krizë të re. Zëdhënësi i PASOK deklaroi gjithashtu se "Ne jemi në favor të ristrukturimit dhe të krijimit të një kanali të ri, të standardeve të larta, por cështja e ERT duhet të shkojë në Parlament për t’u zgjidhur". 

Nga ana e tij kreu i DIMAR ka deklaruar se nëse ka një bllokim, nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje. “Ne mund të gjejmë zgjidhje në një mënyrë tjetër", tha ai, duke lënë të kuptohet se mund të pranojë edhe ndryshimin e kryeministrit. 

Në mes të kësaj situate, gazetarët dhe teknikët e RTV publik janë duke vendosur mbi lëvizjet e tyre të ardhshme, pasi kuptojnë se megjithë rihapjen e sinjalit televiziv, vendimi i KSH ligjëron pushimin e tyre nga puna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›