E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e pronarit të autoshkollës, kapet furgoni me targa Kosove

TIRANE-Hetimet për vrasjen e pronarit të autoshkollës në kryeqytet janë kthyer pas, në kohën kur 45-vjeçari ka jetuar në Angli.

Burime nga policia kanë sqaruar se ngjarja e së shtunës, ku mbeti i vrarë me tre plumba babai i dy fëmijëve, Luigj Dukagjini, dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e një viti më parë të Agim Hoxhës, kunatit të 45-vjeçarit. Sipas policisë, për vrasjen dhe më pas djegien e kufomës në Angli u arrestuan vëllezërit Agim, Afrim dhe Arben Lleshi.

Burime nga forcat blu sqarojnë se midis dy familjeve ka pasur shpesh edhe kërcënime për hakmarrje. Ndërkohë, policia ka shoqëruar edhe disa të afërm të familjes Lleshi, por ende nuk ka asnjë fakt konkret për autorin e ngjarjes. Pas vrasjes së 45-vjeçarit, policia hodhi dyshimet se ekzekutimi i tij mund të ketë lidhje me një nga lidhjet jashtëmartesore të Dukagjinit me një nga kursantet e tij. Për këtë arsye, në fillim u dyshua se ai ishte vrarë nga bashkëshorti dhe djali i kursantes, por pas shoqërimit të dy personave në polici, ata u lanë të lirë për shkak të mungesës së provave. Grupi hetimor arriti që të zbulonte edhe një mjet furgon me targa të Kosovës, me të cilin u dyshua se kishte ndodhur atentati. Madje, duke u nisur nga profesionalizmi i ngjarjes, hetuesit kanë nisur të dyshojnë se ekzekutuesit të jenë vrasës me pagesë të ardhur nga Kosova. Ndërkohë, deri tani numri i të shoqëruarve për vrasjen e 45-vjeçarit ka shkuar mbi 15 persona.

Dëshmia
Lidhur me vrasjen e Luigj Dukagjinit, është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e tij, e cila nuk ka dhënë ndonjë detaj të rëndësishëm për vazhdimin e hetimeve. Burime nga policia, bëjnë me dije se bashkëshortja e Dukagjinit ka pohuar në polici se ajo nuk ka qenë në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të bashkëshortit të saj. Madje, e pyetur nëse 45-vjeçari ka pasur një lidhje me një nga kursantet e tij apo jo, bashkëshortja e tij e ka mohuar një fakt të tillë, duke shtuar se nuk ka dijeni për një gjë të tillë.

Ngjarja
Mëngjesin e djeshëm, është qëlluar për vdekje 45-vjeçari Luigj Dukagjini, baba i dy fëmijëve. Ngjarja mësohet se ka ndodhur pranë rrugës "Hoxha Tahsim", teksa 45-vjeçari ka qenë duke parkuar makinën e tij para vendit të punës. Sipas policisë, në këtë moment Dukagjini është qëlluar plot 6 herë me pistoletë, por 45-vjeçarin e kanë kapur vetëm 3 plumba, që kanë rezultuar fatalë për jetën e tij. Sipas policisë, pronari i autoshkollës ka marrë një plumb në afërsi të zemrës dhe dy të tjerë pranë brinjëve. Viktima mësohet se ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital, për shkak të gjakut që ka humbur. Sipas policisë, dyshohet se vrasja mund të jetë bërë me paramendim, duke u nisur nga skena e krimit. Burime nga policia bëjnë me dije, se viktima mund të jetë vëzhguar në distancë, që nga banesa e tij tek "Kodra e Priftit", deri në momentin që ka qenë duke parkuar makinën. Sipas policisë, autori i ngjarjes mund të ketë studiuar lëvizjet e Dukagjinit dhe ka gjetur momentin kur ai ka qenë i vetëm dhe i pambrojtur.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›