E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, shqiptarët e arratisur qëllojnë sërish mbi policinë. Vazhdon ndjekja

Edhe natën e kaluar policia greke ka qenë në ndjekje të 4 shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikalas.
Operacioni është zhvilluar në zonën e Epirit.

Mësohet se gjatë orëve të natës, 4 shqiptarët e armatosur, në një makinë rurale Navara, kanë ndeshur në një patrullë policie në postbllokun e Artës dhe kanë hapur zjarr mbi policët me kallashnikovë, por fatmirësisht këtë herë nuk ka patur asnjë të lënduar.

Makina e cila rezultonte e vjedhur në Agrinio, u gjet më pas e braktisur në shkollën fillore të Filipiadas. Në këtë vend vodhën një makinë tjetër dhe janë drejtuar në fshatrat e Sulit, ku terreni është shumë i vështirë. Në këtë drejtim janë përqëndruar forcat policore.

Policia po konsideron mundësinë që ata të jenë duke u drejtuar nga kufiri shqiptaro-grek për të kaluar në Shqipëri, por policia thotë se po përpiqet të mos i lejojë ata të largohen.

Sipas disa burimeve, të armatosurit, janë jashtë kontrollit, pasi mund të jenë të droguar dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen.

Operacioni policor për kapjen e shqiptarëve të arratisur është tashmë ndër lajmet kryesore të medias greke dhe ka ndjeshmëri të madhe në publik, për shkak të viktimave të shkaktuara prej tyre, sipas policisë.

Mbrëmjen e 2 korrikut gjatë një shkëmbimi zjarri mes shqiptarëve dhe policisë, u vranë xhaxha e nip, Flamur dhe Edison Lika. Në kërkim të 4 shqiptarëve janë rreth 300 forca policie mes tyre edhe ato speciale, helikopterë me kamera termike dhe qen të policisë dhe sipas forcave të rendit, kapja e tyre është vetëm cështje kohe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›