E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sondazhi: 80 % e studentëve mbështesin emigrantët

Nga një studim i kryer në Greqi nga Universiteti i Maqedonisë Perëndimore dhe Qendrës së Edukimit Politik të Konfederatës Sindikale Greke, ka rezultuar se shumica dërrmuese e studentëve kanë qëndrim pozitiv ndaj emigrantëve që jetojnë në Greqi dhe se do të dëshironin që shoqëria vendase t`i pranonte e t`i trajtonte ata njëlloj si edhe grekët.

Anketimi i studentëve u realizua në fund të muajit janar 2011 dhe kishte për qëllim të testonte qëndrimin e opinionit ndaj emigrantëve.

50% e të pyeturve konsideron se emigrantët duhet të kenë të njëjtat të drejta me vendasit.

76,2% beson se shoqëria vendase duhet të kujdeset për pjesëtarët e saj, pavarësisht origjinës së tyre nacionale.

79,7% pranon se emigrantët i nënshtrohen "racizmit social" dhe 68,4% se emigrantët janë të margjinalizuar.

74,9% nuk pajtohet me mendimin se një shtet nuk ka kurrfarë detyrimi ndaj emigrantëve që jetojnë në territorin e tij.

Shumë më pak (34,9%) është numri i studentëve që nuk bien dakort me opinionin se emigrantët janë përgjegjës për rritjen e kriminalitetit. Por edhe më i vogël (28,1%) është numri i atyre që kanë mendim të kundërt, pra se emigrantët kanë lidhje me rritjen e kriminalitetit. Pjesa tjetër mban një qëndrim neutral.

Gjithashtu, rreth gjysma e të pyeturve (49,1%), kundërshtojnë opinionin se emigrantët janë shkaktarë për rritjen e papunësisë në Greqi, kundrejt 20,1% që pajtohen me këtë opinion.

Rezultatet e këtij studimi konfirmojnë edhe njëherë testimet e mëparshme, sipas të cilave brezi i rinisë studentore dhe shkollore ka në mënyrë konstante opinion më pozitiv për emigrantët, krahasuar me shtresat e tjera të popullsisë greke.

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›